14 kosovarë në pritje të analizave për Covid-19

Në Kosovë ka arritur në 33 numri i personave që janë infektuar me virusin Covid-19, apo siç njihet ndryshe koronavirusi. Ndërkohë dje (22 mars) u konfirmua viktima e parë nga koronavirusi.

Por, megjithëkëtë, rastet e dyshuara se janë prekur me koronavirus vetëm po shtohen dita-ditës. Tashmë në Klinikën Infektive të QKUK-së janë ndalur për observim edhe 14 persona të tjerë. Rezultatet për ta pritet të dalin gjatë ditës së sotme.

Ndërkaq, 21 persona të tjerë janë në Infektiven e QKUK-së si të konfirmuar me koronavirus. Prej tyre, 3 persona janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Këto detaje i dha gjatë ditës së sotme për Gazetën Express, infektologu Salih Ahmeti.

“Gjendja është relativisht stabile. Janë 3-4 persona në gjendje pak më të rëndë por po monitorohen, 21 janë të shtrirë, të tjerët në shtëpi. I kemi edhe 14 të dyshuar në observim, rezultatet e tyre dalin pasdite. Dy prej atyre në gjendje më të rëndë janë mbi 65 vjeç, dy të tjerët relativisht 40 deri 50 vjeç”, sqaron Salih Ahmeti për Express.

E ndërkohë, deri më tani në Kosovë numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus, tani është ngritur në 33 persona.

Më 22 mars në Kosovë u konfirmua viktima e parë nga koronavirusi.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se viktima është një pacient 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.