26 pasanikë kanë para sa gjysma e njerëzimit

Sipas Organizatës joqeveritare (OJQ) Oxfam, përqendrimi i pasurisë është rritur edhe më tutje në vitin 2018, kështu që 26 miliarderë tani në duart e tyre kanë po aq para sa ka gjysma më e varfër e njerëzimit në botë. Sipas shtypit francez, kjo OJQ u bën thirrje shteteve që të taksojnë më shumë miliarderët.

“Zgjerimi i hendekut midis të pasurve dhe të varfërve, dëmton luftën kundër varfërisë, dëmton ekonominë dhe është nxitje e zemërimit në botë”, thotë Winnie Byanyima, drejtoreshë ekzekutive e Oxfam Internacional.
Sipas shifrave të OJQ-së, metodologjia e së cilës bazohet në të dhënat e publikuara nga revista Forbes dhe banka Credit Suisse, e që është e diskutueshme nga disa ekonomistë, vetëm 26 persona tani kanë aq para sa 3.8 miliardë njerëz më të varfër të planetit. Në vitin 2017, numri i të pasurve ishte 43, që përfshinte pasurinë e përgjithshme për numrin e njëjtë të të varfërve që u cekën më lart.

I tërë buxheti i shëndetësisë së Etiopisë është vetëm 1 për qind e pasurisë së Jeff Bezos, që është “bosi” i Amazon-it dhe është ndër njerëzit më të pasur në botë. Pasuria e tij, në vitin 2018 arriti në 112 miliardë dollarë.

Në përgjithësi, pasuria e miliarderëve botërorë është rritur në vitin 2018 edhe me 900 miliardë dollarë, me një ritëm prej 2.5 miliardë dollarë në ditë, ndërsa pasuria e gjysmës më të varfër të popullsisë së botës, ka pësuar rënie prej 11 për qind, thuhet në raportin Oxfam.

Sipas Oxfam, numri i miliarderëve është dyfishuar që nga kriza financiare e vitit 2008, duke theksuar se “të pasurit kanë jo vetëm një pasuri në zgjerim të plotë, por ata, prej disa dekadave kanë edhe nivelet më të ulëta të taksimit”.

“Shumica e qeverive do të kishin burime të mjaftueshme për të financuar shërbimet publike poqë se pasuria të taksohej ndryshe”, thotë kjo OJQ, që beson se “pasuria është veçanërisht e nëntaksuar”. Ajo thekson se në një dollar të taksës së të ardhurave, vetëm katër cent vijnë nga taksimi i pasurisë.

Oxfam vlerëson se më të pasurit fshehin 7.6 milionë dollarë të taksave, siç janë për shembull vendet e Brazilit apo të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa 10 për qind e më të varfërve tani paguajnë taksa më të larta në përpjesëtim me të ardhurat e tyre krahasuar me të pasurit.

Ky raport është publikuar në një kohë kur taksimi i pasurive më të mëdha po provokon debat në disa vende, veçanërisht në Francë, ku shprehet një revoltë prej një viti, përmes manifestimeve “jelekët e verdhë”. Në Shtetet e Bashkuara, deputetja demokratike Alexandria Ocasio-Cortez, me mbështetjen e laureatit të Nobelit për ekonomi, Paul Krugman, ka propozuar që të pasurit të taksohen deri në 70 për qind./MediaFokus/