6 pacientë në gjendje të rëndë në Spitalin e Gjilanit, po trajtohen me oksigjenoterapi

“Gjashtë pacientë i kemi me oksigjenoterapi, të cilëve u dëshiroj shërim të shpejtë. Ju lutem që t’i respektoni masat anti-Covid sepse në këtë mënyrë mbroheni ju dhe na e lehtësoni edhe neve punën”, thotë Ukshin Ismaili.

Komiteti i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka njoftuar se një person e ka humbur betejën me këtë virus, duke e ngritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në këtë komunë në 18, njofton kumtesa komunale, transmeton Mediafokus.info.

Pas takimit, në emër të Komitetit ka folur drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, Dr. Ajhane Sefiu dhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Dr. Ukshin Ismaili.

Dr. Sefiu, gjatë prezantimit të pasqyrës së përgjithshme të përballjes me pandeminë, ka njoftuar se totali i të infektuarve është 540, 338 raste janë shëruar, raste aktive janë 184, të hospitalizuar 40, kanë ndërruar jetë 18 pacientë, derisa mostra në pritje janë 38.

“I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e më të dashurit të tyre. Ju lusim që t’i përmbaheni rregullave që janë shumë të thjeshta, pra mos grumbullimi, bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe higjienës personale. Jam e sigurtë që nëse i përmbahemi, do ta ulim infeksionin në pikën zero”, ka thënë Sefiu.

Kurse, drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Ukshin Ismaili, ka thënë se situata është paksa më e rënduar në mjekimin intensiv, në Njësinë Koronare.

“Gjashtë pacientë i kemi me oksigjenoterapi, të cilëve u dëshiroj shërim të shpejtë. Ju lutem që t’i respektoni masat anti-Covid sepse në këtë mënyrë mbroheni ju dhe na e lehtësoni edhe neve punën”, tha Ismaili.