639 fletëparaqitje ndaj qytetarëve të cilët sfiduan ‘orën policore’

Duket se ora policore nuk po merret seriozisht nga qytetarët, të cilët po vazhdojnë ta sfidojnë vendimin e qeverisë. Gjatë javës së fundit, për “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë“ policia e Kosovës ka bërë 639 fletëparaqitje ndaj qytetarëve në komunat e rajonit të lindjes.

‘Policia e Kosovës, gjatë zbatimit të masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Shëndetësisë si pasojë e pandemisë Covid 19, për periudhën kohore një javore 09 shtator 2020 deri me 15 Shtator 2020, në të gjitha shtatë komunat e rajonit të Gjilanit, kanë shqiptuar 639 fletëparaqitje për mos respektim të këtyre masave.

Në raste të veçanta, Policia e Kosovës, po ashtu ka asistuar inspektorët sanitarë komunalë, në kontrolle të lokaleve hoteliere për të vërtetuar se janë duke i përmbush masat anti COVID-19, të kërkuara nga Qeveria e Kosovës.

Policia e Kosovës i thërret dhe apelon te qytetarët që t`i respektojnë me përpikëri masat e ndërmarra nga Qeveria, në të kundërtën moszbatimi i këtyre masave do të ketë konsekuenca ligjore.

Ne dhe të gjitha institucionet e shtetit kemi vetëm një qëllim – mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë’, thuhet në njoftimin e policisë.