A ia vlen të mundohemi në këtë botë, apo duhet ta presim fundin me duar pas qafe, ja çka thotë biznesmeni gjilanas

Biznesmeni gjilanas, Selatin Mehmeti nuk pajtohet me pesimistët e kësaj bote, të cilët thonë se nuk ia vlen të mundohesh shumë në këtë botë, sepse asgjë nuk merr me vete. Sipas tyre, te varri, të gjithë janë të barabartë.

Mehmeti ka një logjikë tjetër.

E vërteta është se askush asgjë nuk merr me vete kur ikën prej kësaj bote, por është shumë me rëndësi se çka lëmë pas. Dikush lë shumëçka e, dikush asgjë, andaj nuk mund t`i barazojmë njerëzit edhe në varreza.

Është e vërtet se çdo individ që lind edhe vdes, por njerëzimi vazhdon të jetojë pavarësisht individëve që vdesin çdo ditë, në masë të kontrolluar, për një balancë të jetës në planet.

Askush nuk na jep të drejtë ta dënojmë vetveten me vdekje, me justifikim se nuk ia vlen me punua për kushte më të mira, sepse një ditë kemi për të vdekur.

Kjo është logjikë jo racionale, sepse njeriu duhet të punojë, të veprojë, të bëjë vepra të mira, të ndihmojë të varfrit, të paaftët.

Sikur ta legjitimonin këtë logjikë të mbrapsht, të gjithë do të ishim fukarenj, do të jetonim ende në shpella, në formën më primitive, njëjtë sikur shtazët. Askush askujt nuk do të mund t`i ndihmonte.

Ky shembull është justifikim i pamundësisë për të qenë i pasur. Është regresiv, pa perspektivë dhe hakmarrës ndaj atyre që kanë krijuar pasuri me punën e tyre, duke thënë se edhe fukaraja, edhe i pasuri janë të barabartë para varrit.

Në varreza – po, por jashtë varrezave jeta vazhdon. Prandaj, duhet punuar sikur nuk kemi për të vdekur kurrë dhe duhet jetuar sikur kemi për të vdekur nesër. Fukaraja nuk mund ta ndihmojë askënd, ka shkruar Mehmeti. /mediafokus.info