AAK po e shqyrton mundësinë që Ramush Haradinaj të jetë kandidat për president

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta shqyrtojë mundësinë me partnerët e koalicionit që kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, të jetë kandidat për president të Republikës.

Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, pas takimit të kryesisë së kësaj partie.

“E kemi diskutuar gjatë çështjen e qeverisjes. Ne mendojmë se mund të ketë rrethana të reja, sa i përket zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Po e them këtë për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmim të aktakuzës për presidentin Thaçi, që ne të gjithë kemi shpresuar se nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, ne prapë se prapë për disa muaj duhet të ketë zgjedhje të presidentit. Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkoj në zgjedhje, për shkak se nuk do të arrihet të zgjedhet presidenti. Shpresojmë se partitë politike do ta gjejnë rrugën për me zgjedh presidentin e ri të vendit. Ka thirrje në Këshillin Drejtues që kryetari Haradinaj të jetë kandidat për President. Këto çështje do t’i shqyrtojmë. Do t’i shqyrtoj edhe kryetari Haradinaj edhe me partnerët e koalicionit”, ka deklaruar Gjini, pas takimit të kryesisë./Mediafokus.info/