Abazoviqi do ta kuptojë gabimin që po bën sot, atëherë kur të ketë përfunduar si Sejdo Bajramoviqi

Myzejene Selmani

Dritan Abazoviqi duket se nuk ka mësuar asgjë nga historia dhe ka vendosur të shërbejë si kalë i Trojës në anën e interesave pro serbe dhe pro ruse në Mal të Zi.

Teoria e Abazoviqit për një shtet qytetar, më së paku mund të jetësohet me serbët, kur dihet politika dhe veprimet e tyre nacionaliste prej shekujsh.

Një shtet që njohët për krime e gjenocid, që edhe kishat dhe priftërinjtë i përdorë politikisht për të gllabëruar tokat e huaja, nuk mund të jetë shtet qytetar.

Shqiptarët në ish-Jugosllavi e kanë provuar e përjetuar politikën serbe në lëkurën e tyre, por Abazoviqi nuk dëshiron të mësojë nga historia as e afërt dhe as e largët jo vetëm e shqiptarëve, por as të boshnjakëve, kroatëve, sllovenëve.

Serbët në Mal të Zi do ta përdorin atë vetëm për interesa të tyre dhe pasi t`i arrijnë qëllimet e veta, Abazoviqin do ta hedhin si një mbeturinë të pa vlerë.

Lojërave dhe joshjeve serbe u kishin besuar në të kaluarën edhe Sejdo Bajramoviqi, Rrahman Morina dhe të tjerë, por dihet si kanë përfunduar.

Abazoviqi po e sheh veten të madh në këtë moment historik, por ai duhet ta kuptojë se nuk e ka fuqinë e vetos në parlament që t`i stopojë vendimet që mund të merren nesër në dëm të Malit të Zi dhe shqiptarëve, para së gjithash.

Është utopike të mendohet se ai mund t`i mbrojë interesat e Malit të Zi më mirë se Milo Gjukanoviq. Opozita e sotme në Mal të Zi, është një aleancë pro serbe e pro ruse.

Abazoviq nuk është rreshtuar vetëm kundër interesit të shtetit të tij dhe kombit që i përket për nga origjina, por edhe kundër interesave gjeostrategjike të Amerikës.

Mali i Zi dhe rajoni ynë përgjithësisht, janë pika nevralgjike ku thyhen interesat e superfuqive.

Si mund të bashkëpunojë NATO me një qeveri pro ruse nesër?

Abazoviq, prandaj me këtë vendim po e rrezikon edhe shtetin e Kosovës, me ose pa vetëdije.

Kur ta kuptojë se është përdorur si një kalë Troje nga serbët, do të jetë vonë për të.

Dashtë Zoti të mos dëmtohen shqiptarët nga kjo aleancë e tij me serbët dhe rusët.

Abazoviqi, me siguri do të përfundojë si Sejdo Bajramoviqi dhe disa të tjerë që nuk kanë marrë mësim nga historia.