Abdyli: Në lokacionin e paraparë për varreza mund të bëhet një shëtitore për të gjallët

Lokacioni i ri i varrezave të qytetit, i cili është paraparë të ndërtohet në fshatin Velekincë, po kundërshtohet nga subjektet opozitare në Gjilan. Riza Abdyli, shef i grupit të këshilltarëve të PDK-së, që përbën opozitën më të madhe në Kuvendin Komunal, njëherësh banor i fshatit Velekincë, ka thënë se ky projekt nuk do të kalojë.

Velekinca, një fshat me lumë, me tokë pjellore dhe me pyllin afër, do të mund të shfrytëzohej për shumë të mira, përpara se të shpërfytyrohej për projekte të gabuara, ka shkruar ai në profilin e tij në facebook.

“Velekinca ka tre lokacione me varreza të banorëve të fshatit. Një tek varrezat e vjetra, një tek varrezat e Velekincës së Epërme dhe një lokacion që ka filluar afër shkollës. Velekincës i ka rënë hise deponia rajonale e mbeturinave në brendi të malit. Një vendim i fundit i Kuvendit Komunal ka lejuar edhe tregun e kafshëve në Velekincë. Shtoi kësaj edhe një fabrikë të përpunimit të mishit dhe fabrika të tjera, të cilat jo rrallë kanë qenë ndotës të ambientit”.

Abdyli konsideron se lokacioni i paraparë për varreza mund të jetë një vend ideal për pushim dhe rekreacion, si për të rinj, ashtu edhe për pleq.

“Vendi i përzgjedhur është një vend ideal për të gjallët, pasi është një pyll me pisha, që mund të plotësohet me elemente dhe të bëhet atraktiv për rininë, pleqtë dhe sportistët. Aty do të mund të bëheshin shëtitore e pushimore, që do të ishin të vlefshme edhe për rehabilitimin e të sëmurëve”.

Duke e kundërshtuar destinimin e këtij lokacioni, Abdyli ka thënë se ky vend më së paku është i përshtatshëm për varreza, për faktin se rrotull ka tokë të punueshme, ka shtëpi në afërsi dhe është larg qytetit.