Aditivët janë të rrezikshëm për shëndetin nëse përdorën në mënyrë të pa kontrolluar

Ajshe Leka, nutriciste-dietologe

Aditivët janë substanca ose përzierje të materieve me një përbërje kimike të caktuar, të cilat në gjendje të papërpunuar nuk janë ushqim, as materie ushqyese, as nuk janë përbërës karakteristik të ushqimit dhe nuk kanë asnjë vlerë ushqyese.

Aditivët shtohen në ushqime në sasi të vogla, gjatë prodhimit, përpunimit, ripërpunimit, formimit, paketimit, ruajtjes dhe transportit, për të përmirësuar qëndrueshmërinë dhe gjendjen fizike të tyre.

Për shkak se aditivët nuk janë përbërës natyralë të ushqimit dhe nuk janë as ilaçe, ata bartin rreziqe të caktuara shëndetësore.

Disa aditivë, nëse shtohen në sasi më të mëdha se sa lejohet, mund të shkaktojë ndryshime degjeneruese, reaksione alergjike dhe të rrisin rrezikun e sëmundjeve të ndryshme.

Prandaj, përdorimi i aditivëve në ushqim dhe produkte farmaceutike duhet t’i nënshtrohet kontrolleve ligjore të rrepta dhe të vazhdueshme.

Aditivët dhe përzierjet e tyre mund të shtohen në ushqim vetëm nëse i janë nënshtruar testimit toksikologjik. Shtohen në ushqim, sipas rregullave të veçanta, me ose pa kufizime në sasi.

Prania e tyre në ushqim nuk guxon të shkaktojë formimin e materieve toksike gjatë përpunimit, magazinimit dhe përdorimit.

Shumica e aditivëve janë prodhuar nga burime natyrore dhe nuk janë të dëmshme për shëndetin. Për shembull, të tillë janë pektin, antioksidatët, vitaminat, mineralet, ngjyrat natyrale dhe aromat.

Ka një numër të konsiderueshëm të aditivëve të cilët nuk duhet të gjenden në ushqim, sidomos ata që janë përfituar në mënyrë sintetike.

Kur bëhet fjalë për origjinën e aditivëve nuk ka shumë ndryshim në aspektin e sigurisë, por aditivët sintetikë janë shumë më të dëmshëm për shëndetin sesa ata natyrorë.

Të dy llojet e aditivëve, natyrorë dhe sintetikë, të shtuara në ushqim në sasi më të mëdha, mund të kenë aktivitet negativ biologjik në organizmin e njeriut.

Sipas shkallës së sigurisë ushqimore, aditivët mund të jenë: të padëmshëm, të dyshimtë, të dëmshëm për shëndetin dhe shkaktarë të shfaqjes së sëmundjeve malinje./Mediafokus