Aldrik Selmani, një talent i rrallë futbolli që po mahnit holandezët

Talentet shqiptarë të futbollit po shkëlqejnë gjithandej nëpër botë, ku jetojnë e punojnë prindërit e tyre, shkruan portali mediafokus.info

Në këto vende, tashmë po rritet brezi i tretë i mërgimtarëve tanë, të cilët spikasin me dijen edhe talentin e tyre në të gjitha fushat.

Aldrik Selmani është një nga këto talente, i cili po shkëlqen në fushën e gjelbër, ku po mahnit edhe ekspertët e futbollit.

8-vjeçari nga Gjilani i Kosovës, është i lindur në Holandë, ku edhe filloi të merret me futboll nga mosha 4-vjeçare.

Në moshën 5-vjeçare, Aldriku u shpall lojtari më i mirë i turnirit në Delfzijl dhe pas një muaji kaloi në klubin e njohur FC Groningen.

Shqiptari nga Kosova, i cili po mahnit me aftësitë e tij prej futbollisti, është zgjedhur një prej 16 talenteve më të mira në qytetin e Groningenit.

Në të ardhmen, bota e futbollit do të dëgjojë e flasë shumë për këtë djalosh, që i është dedikuar fushës së blertë që prej moshës fëmijërore.

Një ditë, mbase atë mund ta shohim edhe në fanellën e kombëtares sonë. Aldriku ka shumë ëndrra dhe sapo ka nisur t`i realizojë ato, duke e pasur edhe mbështetjen e madhe të familjes Selmani. /mediafokus.info