Ambasada e SHBA: Po testohen 3 vaksina, hapi i fundit para miratimit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë një postim mëngjesin e së dielës ku shkruan rreth përpjekjeve që po bëhen për arritjen e një vaksine të suksesshme kundër koronavirusit për një kohë sa më të shpejtë.

Sipas ambasadës së SHBA, aktualisht janë 3 vaksina të financuara nga Shtetet e Bashkuara që kanë hyrë në fazën e tretë të testimeve. Ajo shton se administrata amerikane ka investuar miliarda dollarë për këtë vaksinë, ndërkohë që dhjetëra mijëra njerëz janë ofruar si vullnetarë për ta testuar atë.

“Tre vaksina kundër Covid-19 të financuara nga Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në fazën e tretë të testimeve klinike, hapi i fundit drejt krijimit të një vaksine të sigurt dhe efektive para miratimit nga qeveria. Ndërkohe që vaksinave zakonisht iu duhen vite për t’u përfunduar, përmes operacionit Warp Speed, administrata po investon miliarda dollarë për të përshpejtuar krijimin, prodhimin dhe shpërndarjen e tyre.

Dhjetëra mijëra njerëz janë ofruar të testojnë vaksinën në mënyrë vullnetare, për t’u siguruar që ato të jenë të sigurta dhe efektive para se të aprovohen për përdorim të gjerë”, shkruhet në postimin e ambasadës së SHBA./a2news/