Apeli e kthen në rigjykim rastin e ish-ministrit Agani për shkak të shkeljeve procedurale

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje rastin e ish-ministrit Ferid Agani

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Apeli ka njoftuar se është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore, i datës 24 prill dhe se çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

“Gjykata e Apelit, pasi ka shqyrtuar  më vëmendje aktgjykimin e shkallës së parë, ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si dhe shkresat e lëndës,  ka ardhur në përfundim se aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e po ashtu edhe gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë jo të plotë dhe të gabuar, për çka duhet të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në prill të këtij vitit i kishte shpallur fajtor për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar në bashkëkryerje”, ish-ministrin F.A. dhe e kishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dy vite e gjashtë muaj, ndërsa të akuzuarin G. Sh. më burgim në kohëzgjatje prej dy viteve.

Ish-ministri Agani e kishte kundërshtuar aktgjykimin duke thënë se procesi ishte i ndikuar politikisht dhe se procedura e shqyrtimit të fakteve dhe verifikimit të provave ishte përcjellë me shkelje të shumta.

Apeli e vërteton se gjyqi ndaj ish-ministrit Agani është përcjellë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.