Apeli i Hazirit: Kujdesuni për veten dhe të tjerët që të mos kemi nevojë për ashpërsim të masave

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga qytetarët t’i respektojnë masat kundër Covid 19, në mënyrë që të ulen rastet e infeksionit dhe që të mund të ndërmerren veprime lehtësuese.

“Në të kundërtën, nëse shtohen rastet e të infektuarve dhe i atyre që përfundojnë me vdekje, do të duhej ashpërsuar ato”, tha Haziri.

IKSHPK ka raportuar sot për tetë raste të reja me COVID-19 në Gjilan dhe disa raste që janë shëruar për gjatë 48 orëve të fundit.

“Tani kemi 153 raste aktive me Covid-19, prej të cilëve 38 janë të spitalizuara në Gjilan. Jashtë Spitaliut të Gjilanit, nuk ka raste nga kjo komunë”, tha Haziri.

“Po punojmë që këta qytetarë të kenë trajtimin e duhur, në mënyrë që ta përballojmë sa ma mirë sëmjundjen”, ka shtuar Haziri.

Haziri ka vlerësuar lart mjekët në gjinekologji ku është kryer një lindje e suksesshme e një fëmije të shëndoshë, nga një nënë me COVID-19, e cila pas procedurave, ajo është liruar në shtëpi në vetizolim.

Ndërkohë Haziri ka bërë apel për kujdes.

“Ju lutem ruajeni pak veten tuaj, familjen tuaj dhe të tjerët, në këtë situatë, në mënyrë që të mos na detyroni t’i shtrëngojmë masat. Ky është shqetësimi im i vazhdueshëm, sepse rritja e numrit të të infektuarve dhe i rasteve të vdekjes do të na detyrojë t`i shtrëngojmë masat”, ka thënë Haziri, i cili megjithatë paralajmëroi lehtësim të masave, duke përmendur faktin që nga e hëna do të fillohet me hapjen e çerdheve, fitneseve, sporteve edukuese.

“Të hënën po planifikojmë me i hap çerdhet, në kuadër të lehtësimit të masave, prandaj e ftoj menaxhmentin e çerdheve, edhe publike edhe private, që të përgatiten. Ne do t’i hapim çerdhet, sallat e sportit edukues, fitneset…”, ka thënë Haziri duke shtuar se për klubet e futbollit Gjilani e Drita, do të krijojnë kushte të veçanta për përgatitje, sepse ato klube do të na përfaqësojnë në Evropë.

Ai ka kërkuar nga qytetarët të vazhdojnë të bashkëpunojnë me institucione që ta përballojmë sa ma lehtë gjendjen me COVID19 dhe që të kemi sa ma shumë lajme të mira.

E lajme të mira, Haziri tha se janë ato kur përfundojmë një ditë pa viktima, pa njerëz që e humbin betejën me COVID, dhe kur kemi numër sa më të vogël të të infektuarve.

Përndryshe, Haziri ka kërkuar nga qytetarët që të njoftojnë institucionet përkatëse për shkelje të masave të Covid-it, mos respektim të orarit, siç ka ndodhur në lagjen Dardania ku qytetarët kanë bashkëpunuar dhe organet përkatëse kanë reaguar.

“Nuk lejohet muzikë live në asnjë klub, lokal a restorant, madje as me DJ. Nuk lejohen tubime, mitingje, ahengje e organizime”, tha Haziri.

“Ju lutem respektoni masat, është kohë pandemia dhe jeta e njerëzve është e rëndësishme dhe më e vlefshme se gjithçka tjetër”, ka thënë kryetari Haziri, për të shtuar se janë duke punuar shumë me ekipin edhe për shëndetin e ekonomisë dhe kjo është arsyeja pse kanë bërë shumë presion si Gjilan që me u hap çerdhet, me u shty orari i punës për gastronominë, me u hap klubet e fitnesit, e shkollave sportive që kanë edukim për fëmijë.

“Na jepni neve mundësinë që ta kemi në dorë një armë të fuqishme, t’i kemi faktet për disiplinë dhe lojalitet që të shkojmë drejt largimit total të disa masave rënduese sepse me pandemi do të vazhdojmë me jetue, por nëse jetojmë me kujdes, numri më i vogël i të infektuarve është ai që ka me i determinue masat”, ka thënë Haziri.