Apeli i kryesueses së Kuvendit të Gjilanit: Rri në shpi, duaje familjen tënde!

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi – Emini u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar ndaj koronavirusit.

“Fatkeqësisht, siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Kosovë, numri i të prekurve me COVID19 ka arritur në 61. Duke ditur se si ka evoluar kjo pandemi aty ku ka prekur, në asnjë mënyrë nuk duhet të sillemi me komoditetin që e kemi pas deri më tani mes nesh, që në një formë apo tjetrën ka ngjarë në injorim ndaj saj. Mos të lejojmë COVID – 19-të na tregojë dhëmbët më vrazhdë e më pamëshirshëm”, ka thënë Kurteshi-Emini.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi – Emini thotë se qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi, përveç në rastet kur kanë urgjencat e tyre.

“Rrini në shtëpi, duajeni familjen tuaj”, përfundon thirrja e kryesueses së Kuvendit komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi – Emini, drejtuar qytetarëve pa dallim.