Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për kontrabandë me mallra

Inspektorati Policor i Kosovës (PK) ka arrestuar një rreshter policor, me dyshimin se ka kryer kontrabandë me mallra. Ai është ndaluar mbrëmë në Prishtinë dhe i është kontrolluar vetura, ku i janë gjetur gjësende të ndryshme, përfshirë mallra tekstili dhe para. Mallrat janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës.

“I dyshuari me veturë është ndaluar nga hetuesit e IPK-së mbrëmjen e djeshme (12.08.2020) në Prishtinë dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë të njëjtit i është bërë kontrolli i veturës. Gjatë kontrollimit të veturës nga hetuesit e IPK-së janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht gjësende të ndryshme si: mallra të tekstilit, para dhe gjësende të tjera. Edhe vetura me të cilën është bërë transporti i mallrave është sekuestruar si dhe gjatë kontrollit janë identifikuar vende të fshehta brenda veturës e që dyshohet se janë përdorur për fshehjen e mallrave. Hetuesit e IPK-së kanë ftuar edhe njësitë e specializuara të Doganës së Kosovës për sekuestrimin e mallrave që dyshohet se janë përdorur për tregti të ndaluar. Pas këtyre veprimeve hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, thuhet në njoftimin e IPK-së.