Arrestohet profesori universitar që merrte para për provime nga studentët

Një profesor universitar është arrestuar nga policia nën akuzën për korrupsion. Dyshohet se ai u merrte para studentëve për t`i kaluar në provime.

Në pranga ka përfunduar pedagogu i Shkencave Sociale, Alket Dino. Po ashtu, policia prangosi edhe Xhevi Dervishin, që dyshohet se luante rolin e sekserit.

Njoftimi i policisë:

“Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A.D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë.

Shtetasit e mësipërm, janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 euro dhe 50 000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.