Autopsia nxjerr tjetër diagnozë: 39-vjeçarja nga Istogu s’ka vdekur nga COVID -19

Sevdije Kukleci, 39-vjeçarja nga fshati Lluga i Istogut nuk ka vdekur nga Covid 19. Sipas dokumentit të siguruar nga Gazeta Sinjali, Instituti i Mjekësisë Ligjore shkaktarin kryesor të vdekjes e ka gjetur Sepsën.

“Sëmundja apo gjendja e drejtpërdrejtë që e ka shkaktuar vdekjen – SEPSA. Gjendja e cila ka sjellë deri te shkaktari i vdekjes – PERITONITI FIBRINOZ PURULENT. Shkaktari kryesor i vdekjes – PERFORIMI I ULCERËS DEODENALE”, thuhet në certifikatën e vdekjes së Sevdije Kuklecit.

Motra e të ndjerës, Fatime Salihi, ka thënë se e gjitha nisi me dhimbjen e lukthit, por që në Spitalin e Pejës ku edhe është trajtuar, sipas saj është injoruar nga mjekët.

Salihi thotë se rasti nuk është trajtuar si duhet sepse me gjithë dhimbjet e mëdha që kishte motra e saj, ajo është trajtuar vetëm me qetësues.

Më tej, ajo thotë se kur kanë shkuar në Prishtinë motra e saj ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas saj referimi i vonuar nga Spitali i Pejës ka qenë fatal për të.

Nuk kishte kaluar shumë kohë prej kur Sevdije Kukleci kishte vdekur, ndërsa familjes i ishte thënë se vdekja ka ardhur si pasojë e infektimit me koronavirus. Dyshimet e familjes për shkaktarin e vërtetë të vdekjes u shtuan akoma më shumë kur të gjithë personat që kishin pasur kontakt me të u testuan për COVID-19 dhe asnjë nga ta nuk rezultoi pozitiv.

Familja thotë se ata nuk do të ndalen dhe se rasti do të përcjellët në instancat më të larta të drejtësisë në vend në mënyrë që fajtori për vdekjen e të ndjerës Kukleci të dal para drejtësisë./mediafokus.info