Autostrada e Anamoravës, Lekaj i reagon Abdixhikut pas anulimit të tenderit

Autostrada e Gjilanit po bëhet një histori në vete, jo vetëm për faktin që filloi me vonesë, ndërsa ishte premtuar kaherë, por tani edhe për përfoljet dhe dyshimet se bëhet fjalë për një projekt të korruptuar.

Këto dyshime i ngriti hiq më pak se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, dje në Gjilan, por edhe ministri Lumir Abdixhiku, i cili vendosi për anulimin e tenderit për segmentin e dytë.

Edhe më herët ka pasur përfolje e dyshime, madje janë përmendur edhe emra të implikuar në këtë projekt, dyshime këto që duhet të zbardhen gjithsesi.

Vendimin për anulimin e tenderint 110 milionësh për ndërtimin e autostradës së Anamoravës, e ka kundërshtuar ish-ministri Pal Lekaj.

Lekaj ka pohuar se anulimi i tenderit ndodhi në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me vendimin e Qeverisë së vitit 2017, në të cilën caktohet komiteti ndërministror prej pesë anëtarëve.

Pjesa e këtij projekti përfshin fazën e dytë të përmbylljes së projektit që i lidh shqiptarët e Kosovës me shqiptarët e Luginës së Preshevës, thotë Lekaj.

Por, ministri Abdixhiku ka thënë se tenderi 110 milionësh ishte shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar dhe se  me vendimin për anulim, kanë kthyer ligjshmërinë në një proces të rëndësishëm financiar për vendin.

Abdixhiku, por edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kanë siguruar banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan do të bëhet, por korrupcioni do të largohet prej këtij projekti. /mediafokus.info