Avokati sheh një rrezik në Washington: Avdullah Hoti mund të shesë interesin kombëtar!

Avokati i njohur shqiptar, Spartak Ngjela ka bërë një analizë të takimit në Washington, ku ai sheh edhe rreziqe, megjithëse rikujton se Amerika e ka njohur Kosovën.

‘Asgjë tjetër përveç kërcënimit antiserb. Pse? Sepse Amerika e ka njohur Kosovën si shtet. Atëherë? Asgjë nuk mund të bëjë jashtë vullnetit shqiptar të Kosovës. Por, gjithçka mund të ndodhë me përfaqësuesin shqiptar: kryeministrin e Kosovës, Hoti.

Pse, mund të lëvizë ky? Janë të shumtë kryeministrat shqiptarë që kanë shitur interesin kombëtar. Po tjetër?

Nuk e dimë se çfarë marrëdhëniesh ka Hoti me Esat Thaçin. Nëse Hoti shkon në rrugën e Thaçit, pyetja është: çdo të bëjë Avni Rustemi? Se ky është parë në kafenetë e Prishtinës.

Pse ende ka rrezik dhënia e territoreve të Kosovës, Serbisë? Po, sepse është histori e vjetër kjo mes Serbisë dhe Esatëve shqiptarë. Po sot, për Mitrovicën, po punojnë Esatët modernë? Po. Gjithçka është përqëndruar në Mitrovicë, se Trepçen e do Rusia.

Po presidenti amerikan Trump? Ky ndoshta ka nevojën e Rusisë në zgjedhjet amerikane të këtij nëntori, por vetë nuk bën dot gjë. Pret nga Esat Pashë Thaçi. Po, a mund të ketë kurajë Hoti të japë Mitrovicën?

Nuk e besoj. Por, gjithsesi koha duhet vlerësuar vetëm me patriotizëm, sepse krerët e Shqipërisë gjithmonë kanë shitur interesin kombëtar.
Po krerët e shtetit shqiptar të Kosovës?

Për këta, deri pa dalë në skenë Hashim Thaçi, nuk kishim të dhëna.

Atëherë? Nuk besoj të ketë esadizëm në takimin e Uashingtonit. Sot shqiptarët, as në Shqipëri dhe as në Kosovë, nuk janë ata të vitit 1920, se kanë shumë informacion.

Po mirë, çfarë janë marrëdhëniet ekonomike Kosovë – Serbi, për të cilat po flitet kaq shumë?

Asgjë. Broçkulla. Mendojnë se Sebia mund ta pushtojë ekonomikisht Kosovën, që pastaj, në të ardhmen, ta shpërbëjë politikisht.
Po, a mund të ndodhë kjo?

Jo. Është pamundësi absolute, sepse me eliminimin e korrupsionit të lartë politik në Tiranë, që është gjë e sigurt, fillon një marrëdhënie e re Shqipëri – Kosovë.

Do kemi bashkim kombëtar? Sigurisht.’