Azem Beqiri – dëshmori i heshtur dhe i anatemuar mbi 75 vjet

Shkruan: Sabedin Sherifi

Familja Beqiri rrjedh nga Zhegoci. Ishte shpërngulur nga fshati, afër vendit Hanet e Zhegocit, apo Becovit, siç do të thirret ndryshe më vonë ky vendbanim.

Sot aty gjenden vetëm themelet e shtëpisë dhe një krua i familjes i cili është rinovuar nga familja si përkujtim për të parin e familjes Beci.

Kjo familje u shpërngul në Prishtinë, në vitin 1964 dhe më vonë ata janë shpërndarë në migracion në Gjermani.

Malli dhe dashuria për atdheun ata i sjellë çdo verë pranë kroit të tyre, së paku për t’u çmallur me të kaluarën shumë të vështirë dhe shumë krenare.

Azem Beqiri si i ri u bashkua me nacionalistët shqiptarë, me bindje për çlirim dhe bashkim kombëtar me nënën Shqipëri, si ideologët Hysen Terpeza, Mulla Idriz Gjilani, Rifat Hasani, Adem Gllavica, Gjon Serreqi e shumë e shumë të tjerë.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe fillimi i pushimit serbosllav nën petkun komunist ishte i pa pranueshëm për forcat nacionaliste shqiptare.

Kur luftëtarët i fillonin aksionet e armatosura kundër pushtuesit dhe nuk kishte forcë që t’i frenonte ata. Prandaj u mblodhën në malet e Zhegocit dhe u diskutua shumë nga krerët e forcave të armatosura për kryerjen e një aksioni të madh dhe sa më parë, që njerëzit të kishin me çka të merreshin dhe që të mos kishte humbje të besimit dhe dorëzim para vështirësive që ishin paraqitur për ata që donin bashkimin e trojeve shqiptare, me përfundimin e Luftës Botërore e me vendosjen e ndarjes së sferave të interesit nga Fuqitë e Mëdha.

Kjo doli edhe nga fjala e mospajtimit për një sulm mbi Gjilanin nga ana e Mulla Idrizit, i cili nga një veprim i këtillë shihte pak dobi e shumë dëme nga një veprim i tillë. Ky mospajtim bëri që luftëtarët e kësaj ane të ndaheshin në dy pjesë: me Mulla Idrizin mbetën ata që ishin përkrahës të denjë të tij dhe ata që pajtoheshin me mendimet e tij, kurse pjesa tjetër u bashkuan me Hysen Tërpezën, si komandant dhe u vendosën në Malet e Zhegocit.

Por aty ishte vështirë të kalohej koha midis ndjekjeve të vazhdueshme nga serbët, lajmeve për masakra e mizori dhe urisë që i shoqëronte në çdo hap. Për të kaluar situatën, për të treguar se ende ishin gjallë ata që nuk pajtoheshin me robërinë e re serbe dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtarë, që të shihte realitetin kosovar, u vendos që të ndërmerrej një sulm mbi Ferizajn, që kishte brenda numër jo shumë të madh serbësh të armatosur.

Luftës së Ferizajt i parapriu Kuvendi i Tërpezës, në malet mbi fshatin Tërpezë të Vitisë, të cilin e organizoi dhe udhëhoqi Hysen Tërpeza.

Në shkrimet për këtë ngjarje theksohet se Lufta e Ferizajt zgjati tërë ditën e 2 dhjetorit 1944. Ajo ishte një ngjarje madhore e historisë sonë më të re dhe tejet e ndjeshme e të rëndësishme për kohën, pasi tronditi në themele pushtetin, që serbët mendonin se e kishin ngulitur në Kosovë.

Sulmi në Ferizaj realisht, nisi në orët e vona të natës së 1 dhjetorit 1944, kur grupe të pararojës së luftëtarëve të lirisë dolën të vëzhgonin e siguronin terrenin, të pamundësonin veprime të shpejta të forcave partizane-çetnike, në rast se hetohej para koha sulmi që po vinte dhe të hynin në pikat kyçe të qytetit, për të këputur lidhjet midis partizanëve që ishin në qytet.

Të deleguar të besueshëm shkuan nëpër fshatra dhe lëshuan kushtrimin, të cilit iu përgjigjen me qindra vullnetarë, nga pothuaj të gjitha fshatrat e Ferizajt e të nga disa vendbanime të komunave përreth. Ishte natë dimri dhe luftëtarët nuk ndjenin të ftohtit. Para tyre ishte përleshja me armikun dhe një kthesë e re, për veprimtarinë atdhetare e për jetën e tyre individuale.

Hysen Tërpeza, para se të jepte urdhrin e nisjes për të hyrë në Ferizaj, mbajti para tyre një fjalim të shkurtër e frymëzues.

Është e ditur se nga malet e Zhegocit, drejt Ferizajt, u nisën rreth 3000 ushtarë, po numri i tyre gjatë rrugës u pakësua dukshëm, për shkak të lodhjes, sëmundjes e frikës dhe kur kishte arritur momenti i realizimit të planit strategjik, të hartuar më parë, shumë pika të tij nuk kishin si zbatoheshin praktikisht, sepse numri i paraparë i luftëtarëve që duhej të ishin në vendet e duhura, nuk ishte i mjaftueshëm.

Megjithatë, efekti i befasisë funksionoi mirë dhe serbët e kuptuan se po sulmoheshin vetëm pasi pjesa dërrmuese e ushtarëve tashmë kishte hyrë në qytet.

Luftimet e drejtpërdrejta me serbët fillojnë ende pa aguar dita e 2 dhjetorit dhe për një kohë të shkurtër forcat shqiptare arrijnë të shtien në dorë pika kyçe të qytetet dhe objekte me peshë për të realizuar si duhet sulmin. Por, serbët pas pak kohe e mundin panikun që i kishte kapluar dhe fillojnë të organizojnë mbrojtje, duke luftuar ballë për ballë, sepse ishte moment kur vendosej për jetë a vdekje.

Forcat shqiptare shënuan suksese më të mëdha në pjesën veriore dhe veriperëndimore të qytetit, duke marrë disa ndërtesa që serbët i kishin shndërruar në pika ushtarake për vete, si shtëpinë e oficerëve, shtëpinë e sotme të Teatrit shkollat afër tyre dhe duke vënë nën kontroll të vetin edhe kodrinat që e dominonin qytetin nga kjo anë. Viktima të shumta kishte nga të dy anët, por më shumë nga ana e serbëve dhe me futjen në luftime edhe të vullnetarëve e nga fshatrat, gjendja kaloi plotësisht në dobi të luftëtarëve të lirisë.

Qindra luftëtarë nga Komogllava, Varoshi, Gremja, Gaçka, Pleshina, Nerodimja, Balajt, Jezerci, Lloshkobarja, Slivova, Kosharja, Rahovica, Prelezi, Mirosala e fshatra të tjera nisën luftimet rreth e rrotull qytetit dhe i detyruan serbët të ngujoheshin në shtëpi e barrikada që kishin ngritur dhe të qëndronin aty, duke qëlluar pa ndërprerje e duke pritur t’u arrinte ndihmë nga qytetet tjera.

Luftime të fuqishme u zhvilluan në rrugën e Prizrenit, nga ku tentuan të hyjnë forca partizane që erdhën nga ajo anë, po shumë prej tyre mbetën të vrarë aty, disa u larguan në panik, kurse luftëtarët e lirisë arritën të kapnin rob disa oficerë të lartë serbë dhe të shpëtonin ideologun e qëndresës, Ibrahim Lutfiun, i cili ishte kapur tradhtisht nga partizanët e po sillej në Ferizaj për ta pushkatuar.

Mirëpo, koha po kalonte, luftëtarët po lodheshin e po plagoseshin e vriteshin, municionet po pakësoheshin, kurse në horizont u dukën njësite partizane, që po vinin të organizuar kundër tyre. Me ardhjen e ndihmave për serbët, fundi i luftës ishte i qartë, po edhe vendosmëria për të qëndruar ishte e madhe. Deri vonë, u luftua në qendrën e qytetit e në gjithë rrethinën e tij. Forcave partizane-çetnike u erdhi ndihme nga Prishtina, nga Gjilani e Prizreni, nga njësitet e Brigadës 27 serbe, të Brigadës së III-të të Kosovës dhe nga Njësia Elite e Shtabit Operativ partizan.

Të gjendur në situatë tejet të rëndë, luftëtarët e lirisë morën urdhër të tërhiqeshin pa panik dhe të drejtoheshin kush ku do të ndjehej më i sigurt, deri në një urdhër të ri. Kurse partizanët, me ta marrë qytetin, filluan masakrimin e popullatës së pafajshme dhe të familjeve me emër, të qytetit e të rrethinës së Ferizajt. Reprezaljet vazhduan me ditë e muaj të tërë, ashtu si vazhdoi edhe qëndresa e luftëtarëve të lirisë, deri në fund të shekullit të kaluar.

Në mesin e shumë dëshmorëve të rënë në luftën e Ferizajt ishte edhe Azem Beqiri. Sipas Rifat Hasani bashkëluftëtar i Azemit tregonte shumë për guximin dhe trimërinë e Azemit sidomos në organizimin dhe lirimin e Ibrahim Lutfiut i cili ishte zënë rob dhe sillej në Ferizaj për pushkatim.

Azemi bie në luftë dhe le pas vetës një djalë tre muajsh, Beqirin të cilin e rriti nëna Eminja.

Familja trajtohej nga pushteti si familje nacionaliste dhe e rrezikshme andaj reprezaljet ndaj saj nuk kishin marr fund kurrë. deri në largimin e saj drejt migracionit në Gjermani.

Fetahu, Dauti Shabani, Jetullahu, Nazmiu dhe Samiu të gjithë vëllezër marrin kurbetin në sy pa harruar asnjëherë Kosovë dhe duke ndihmuar në çdo formë luftën e saj deri në çlirim.

Azemi ra me një ëndërr sikur e të gjithë patriotëve shqiptarë për liri dhe bashkim kombëtar. (Literatura: Lufta e Ferizajt e 2 dhjetorit 1944, Rrahim Sadiku)

Në foto: Beqiri, djali i Azemit, i cili u rrit pa e parë babanë