Bajraktari pyet epidemiologët: Cila ishte gabim, shtrëngimi apo lehtësimi i masave?

Profesori i Mjekësisë Interne në Universitetin e Prishtinës, Gani Bajraktari, ka shprehur habinë e tij pas lirimit të masave nga ana e Qeverisë, ndërkohë që janë 21 raste të reja me Covid-19, raporton Mediafokus.info.

“Kur kishim më pak raste të reja me COVID-19, Qeveria (me sygjerimin e ekspertëve) ndërmori masa të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve (ky vendim u mor me 13 prill, kur u shënuan 15 raste te reja). Kur kemi më shumë raste të reja me COVID-19, Qeveria (me sygjerimin e ekspertëve) ndërmori masa për clirimin e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve (sot u shënuan 21 raste te reja)”, ka shkruar Bajraktari, në profilin e tij në Facebook.

Për këtë, ai ka kërkuar shpjegime nga epidemiologët, se cila ka qenë gabim.

“A kane ndonjë shpjegim për këtë epidemiologet; Ishte e para gabim, apo kjo e dyta?! Sepse të dyja nuk mund të jenë mirë. Nuk bëhet fjale këtu vetëm për Kosovën: përfrohet përshtypje se kemi të bëjme ne huqje të mëdha në rang botëror për këtë virus, e sidomos OBSh, e cila ishte inkonsistente në qëndrime, që nga fillimi deri më sot!”, ka thënë Bajraktari./mediafokus.info/