Balaj: Të gjithë duhet të punojmë që ky vit shkollor të fillojë në shtator

Afërdita Balaj, kryesuese e Komitetit të Arsimit në Gjilan, ka thënë se duhet të punojmë të gjithë në mënyrë që ky vit shkollor të fillojë në shtator. 

“Drejtoria e Arsimit në Gjilan ka njoftuar se ka filluar regjistrimi i nxënësve në klasën e parë, por a do të ndodhë që ata fëmijë të ulen në banka shkollore me 1 shtator, nuk dihet saktë”, ka thënë Balaj.

MASHT-i gjithashtu ka njoftuar se është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor. Ministria ka hartuar një udhëzues për organizimin e mësimit me skenarë, edhe pse nuk dihet si këta tre skenarë do të funksionojnë, cili do të ketë pasojat e veta.

“Mendoj se shkëputja nga orët e mësimit, ka pasur ndikim serioz tek nxënësit. Ne ende nuk e kemi vlerësuar efektin e mbylljes së shkollave, pasi 20 përqind e nxënësve nuk janë kyçur asnjëherë në mësimin online”, ka thënë ajo.

Këtu, Balaj rikujton edhe vështirësitë që kanë pasur mësimdhënësit për të mbajtur mësimin online.

“Disa prej tyre është dashur që t`i angazhojnë familjarët, shkaku i njohurive të pakta teknologjike”, ka thënë Balaj.

Ajo mendon se rihapja e shkollave duhet të bëhet nëse lejon Instituti i Shëndetit Publik, në koordinim me Organizatën Botrore të Shëndetësisë.

“Besoj se në skenarët e planifikuar nga Ministria e Arsimit, është menduar edhe për trajnimin e mësimdhënësve, stafit në shkolla, ndryshimin e sjelljeve, distancën dhe higjienën, ndryshimin e orarit, zvoglimin e numrit të nxënësve nëpër klasa, shkurtimin e orëve etj”.

Sipas saj, edhe nëse nuk ndodh rihapja e shkollave, planifikimi i shërbimeve ndihmëse, si pajisja me mjete teknologjike për secilin nxënës, duhet të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pa u përfshirë në mësimin online.

“Ne jemi të vetëdijëshëm se mbas shëndetit të popullit, arsimi ka rëndësi të veçantë, prandaj të gjithë duhet të punojmë që ky vit shkollor të fillojë”, ka thënë Afërdita Balaj./mediafokus.info