Banorët e Karaçevës vazhdojnë të sfidohen nga xhandarmria serbe prej shumë vitesh pas luftës

Serbia po vazhdon të sfidojë kufijtë e Kosovës dhe këtë nuk e bëri për herë parë dje në Karaçevë. Banorët e Karaçevës kanë reaguar, protestuar e bërtitur gjithandej, me qindra herë, kundër një “realiteti” të ri në këtë pjesë, që është zbatuar pas luftës, por nuk kanë mundur të ndryshojnë asgjë.

Banorëve të Karaçevës u kanë rënë në dorë dy harta të ndryshme të vijës kufitare, e cila ndan territorin e Kosovës prej atij të Serbisë, në pjesën lindore të tij, shkruan portali mediafokus.info

Duket se Serbia ka imponuar një realitet tjetër në Marrëveshjen e Kumanovës, sa i përket kufirit në këtë pjesë dhe po vazhdon ta zbatojë pas luftës, përderisa kufiri mes dy shteteve nuk është demarkuar ende.

Sipas banorëve të Karaçevës, harta e marrëveshjes së Kumanovës ka mundur të vlejë vetëm si vijë për largimin e forcave serbe nga Kosova (1999), por jo edhe si kufij shtetëror. Kosova ka të drejtë të kërkojë zbatimin e hartës së vitit 1984 për kufijtë, e cila është punuar dhe botuar në Beograd, këmbëngulin ata.

Me këtë hartë, asokohe, pronat e fshatit Breznicë ishin bartur nga zona kadastrale e Kamenicës, në komunën e Bujanocit.

Selver Lenjani nga Këshilli i fshatit, ka alarmuar disa herë gjendjen, duke thënë se banorët, assesi nuk do të pajtohen me vijën e re kufitare, sepse gllabëron qindra hektarë tokë, që ligjërisht i përkasin Kosovës.

Ai posedon një hartë origjinale, të vitit 1984, ku shihen qartë vijat administrative që ka pasur Kosova me Serbinë, konkretisht në pjesën ku shtrihet Karaçeva. Kjo hartë nuk përputhet me hartën e re që ka imponuar Serbia dhe që përdorë edhe KFOR-i.

“Me hartën e vjetër, ku janë të vizatuar kufijtë e Kosovës, pajtohemi edhe ne dhe duhet të pajtohen edhe shteti i Kosovës dhe Bashkësia Ndërkombëtare”, thotë Lenjani.

Sa i përket hartës së re, Lenjani thotë se ajo është falsifikuar nga ushtria serbe, gjatë marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës dhe si e tillë i është dorëzuar KFOR-it.

Dikush duhet ta sqarojë punën e hartave

Në hartat e reja, të cilat i përdorë KFOR-i, qindra hektarë tokë të banorëve mbeten matanë kufirit. Rruga e asfaltuar prej daljes nga fshati Novosellë e deri në hyrje të Karaçevës mbetet në territorin serb.

Pos tokave, ka edhe shtëpi që mbeten andej. Sipas banorëve, qëllimi i Serbisë është që të përvetësojë këtë territor, sepse ka pasuri nëntokësore, vijon shkrimi i mediafokus.info.

Harta që ka Lenjani tregon qartë “by pasin”, Kosovë-Serbi, që shtetit tonë i rrezikon mijëra hektarë tokë.

Lenjani nuk është i sigurt nëse vijat e kuqe në këtë hartë shënojë edhe kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, apo janë vetëm linja orientuese për trupat e NATO-s në Kosovë, të cilave ata duhet t`iu përmbahen gjatë misionit të tyre në Kosovë.

“Nëse këto vija paraqesin kufij orientues vetëm për KFOR-in, atëherë kjo është normale dhe e pranueshme, sepse ne nuk përzihemi në çështje ushtarake dhe marrëveshje ndërkombëtare, por kemi frikë se mos këta kufij janë shtetëror”, ka thënë Lanjani.

Karaçeva është në kadastrat e Kamenicës

Sipas banorëve, Karaçeva nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë. Të gjitha dokumentet kadastrale e personale të qytetarëve dëshmojnë se ky territor dhe këta banorë kanë qenë dhe janë të Kosovës.

Banorët ankohen se nuk kanë mundësi t`i shfrytëzojnë pronat e tyre. Ka ndodhur që xhandarmëria serbe ka arrestuar edhe barinj, me arsyetim se kanë kaluar vijën kufitare.

Mohimi i pronave, është mohim i ekzistencës për këta banorë. Ata vazhdojnë të jetojnë me dy pala harta, por brenda një realiteti të vetëm, që sfidon të ardhmen e tyre. /mediafokus.info