Bashkatdhetarët nga Gjermania dhurojnë 3800 euro për familjen Abazi

Një grup i bashkatdhetarëve nga Kaiserslautern i Gjermanisë, së bashku me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, i kanë dorëzuar sot donacionin prej 3885 euro familjes Abazi nga Livoçi e Epërm, e cila nga tërmeti në Shqipëri humbi dy djemtë e saj, Isën e Shemsedinin.

Paraprakisht, kryetari Haziri i ka pritur në takim grupin e bashkatdhetarëve që e kryesoi Xhevat Berisha, të cilët i ka falënderuar për solidaritetin e madh për këtë familje, njofton Komuna e Gjilanit.

Haziri tha se është lajm i mirë që edhe pas mbrëmjes humanitare “Pak nga ne, shumë për ata IV”, donacionet e njerëzve të vullnetit të mirë po vazhdojnë, për t’i dalë në mbështetje kësaj familje.

Përndryshe, në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata IV”, e cila është mbajtur të shtunën, u premtuan mbi 100 mijë euro për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri./MediaFokus/