Bekim Jashari: Deputetët do të bënin akt patriotik nëse e nënshkruajnë bashkimin e Luginës me Kosovën

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka folur për zgjidhjen përfundimtare të problemit me Serbinë, e që po mendohet të përfshihet edhe Lugina e Preshevës, duke iu bashkangjitur Republikës së Kosovës.

Jashari ka thënë se në parim nuk është për t’i dhënë territor Serbisë, por nëse ka argumente të mjaftueshme se një gjë e tillë duhet të ndodhë që të bashkohet Lugina e Preshevës, ata që e bëjnë një gjë të tillë asesi nuk janë tradhtarë, por heronj.

“Korrigjimi, kthimi apo bashkimi i vëllezërve apo i komunave shqiptare andej është krejt normale, neve kemi qenë si shqiptarë të gjithë në një vend, pse padrejtësisht fuqitë e mëdha na kanë ndarë, kjo është çështje tjetër. Unë jam për bashkimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me Kosovën, por pa pasur nevojë t’i japim Serbisë asgjë”, ka thënë Jashari për portalin Presheva Jonë.

“Bashkimin e Luginës së Preshevës, pra tri komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, pra në tërësi pa e lënë asnjë fshat jashtë këtyre kufinjve, unë mendoj që askush nuk guxon t’i quajë ata deputetë tradhtarë. Përkundrazi, duhet t’i quajmë patriotë, pasi që po i rikthejmë tokat e copëtuara padrejtësisht. Në anën tjetër, unë mendoj që sot kemi mjaftueshëm njërëz të arsimuar, historianë, gjeodetë, hulumtues e shkencëtarë të tjerë që e faktojnë arsyeshmërinë nëse domosdoshmërisht duhet të japim atë pjesë ku është tërësisht e banuar dhe e populluar vetëm me serbë. Pra, po aludoj në Leposaviqin, por ata duhet të dalin e ta argumentojnë mirë këtë çështje.Vendimet duhet të merren të përbashkëta, jo grupore, por që të arsyetohen mirë e mirë, sepse është shumë e ndjeshme, fuqitë e mëdha e kanë me obligim me i shly gabimet që i kanë bërë në të kaluarën”, ka shtuar Jashari./Mediafokus.info/