Besohet se Bejruti u shkatërrua nga shpërthimi i mijëra tonelatave materie kimike që ndodheshin në një depo

Nga shpërthimi i fuqishëm që ka goditur dje në mbrëmje Bejrutin, kanë humbur jetën 100 persona dhe mijëra tjerë janë lënduar, shkruan Daily Mail.

Ministria e Shëndetësisë së këtij vendi ka njoftuar se më shumë se 3.700 persona janë plagosur si pasojë e shpërthimit në portin industrial të qytetit, ku kimikale të rrezikshme mbahen nëpër depo.

Pamjet dramatike të filmuara rreth orës 6 pasdite, shfaqin tymin mbi zonën e goditur si dhe një re në formë kërpudhe që ngritet në ajër dhe mbulon tërë qytetin.

Dëshmitarët okularë kanë treguar për përvojën e tyre nga ky shpërthim i fuqishëm që është dëgjuar madje 125 milje larg – në Greqi, shpërthim ky që ngjante “me bombë bërthamore”.

“Duket se ekziston një depo që ka materie që janë konfiskuar vite më parë dhe në mesin e tyre edhe një sasi tejet e madhe e eksplozivit”, ka deklaruar shefi i sigurisë Abbas Ibrahim.

Në anën tjetër ministri i Brendshëm pranoi se materiet kimike që ishin mbajtur në depo që nga viti 2004 mund të jenë shkak i shpërthimit, derisa ekspertët pajtohen se ato mund të kenë shkaktuar renë në formë kërpudhe.

Mediat lokale raportojnë se 2.700 tonelata kimikale kanë shpërthyer, duke bërë që një erë e “çuditshme” të përhapet në port dhe të alarmojnë zyrtarët shëndetësor për helmim masiv.

Kryeministri libanez Hassan Diab është zotuar se personat përgjegjës për këtë katastrofë do ta paguajnë çmimin e merituar – duke e shpallur të mërkurën ditë zie.

Me milje larg, ballkonet e ndërtesave janë shembur nga shpërthimi i fuqishëm, duke bërë që edhe xhamat të thyhen dhe të mbulojnë rrugët e qytetit.

Aeroporti kryesor i Bejrutit që është gjashtë milje larg portit detar është dëmtuar nga shpërthimi, ku fotografi të publikuara më poshtë tregojnë se si pjesë të caktuara të objektit janë shembur.

Guvernatori i portit u ka thënë gazetarëve se nuk i di shkaqet e shpërthimit dhe se nuk ka parë dëme të tilla më parë në jetën e tij, duke i krahasuar këto skena me ato të Hiroshima dhe Nagasakit, ku këto qytete japoneze me bomba bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Charbel Haj, që punon në port tha se shpërthimi filloi me krismat e fishekzjarrëve dhe befasisht ndodhi edhe shpërthimi i fuqishëm.

Imazhet e publikuar shfaqin ndërtesat e shkatërruara përreth portit, nga i cili praktikisht gjashtë milionë banorë fitojnë bukën e gojë nga importimi i ushqimit.

E nga shpërthimi e kanë pësuar edhe spitalet që janë mbingarkuar nga numri i madh i pacientëve që janë lënduar gjatë këtij shpërthimi.