Biden: Mendoj se rasti i George Floyd do ta ndryshojë botën

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden, ka thënë se rasti i afrikano-amerikanit George Floyd do ta ndryshojë botën.

Pas një takimi privat me familjet e Floyd-it në Houston të Teksasit për t’i shprehur ngushëllimet e tij, Biden tha se vdekja e afrikano-amerikanit ishte një nga pikat më të mëdha të ndryshimit në historinë amerikane.

“Ata janë një familje e mrekullueshme, vajza e tij e vogël ishte aty, ajo thoshte se babai i saj do ta ndryshojë botën dhe unë mendoj se babai i saj do ta ndryshojë botën”, tha Biden për televizionin CBS, përcjellë kosova-sot.info

“Mendoj se ajo që ndodhi këtu është një nga pikat më të mëdha të ndryshimit në historinë amerikane, kur bëhet fjalë për liritë civile, të drejtat civile dhe trajtimin e njerëzve me dinjitet”, shtoi ish-nënpresidenti amerikan.

Vrasja e George Floyd-it në duart e policisë ka nxitur protesta në mbarë botën. Një funeral privat do të mbahet më vonë të martën për ta varrosur trupin e tij, shkruan “BBC.

Joe Biden e ka kritikuar ashpër presidentin Donald Trump, i cili do të garojë për mandatin e dytë për president si kandidat i Partisë Republikane, duke e akuzuar atë gjatë fundjavës se ka bërë deklaratë shumë të pakëndshme për Floyd-in./mediafokus.info