Boll ma, auto shkollat vendosin për protesta të pandërprera nga e hëna e tutje

Auto shkollat në Kosovë dy herë deri tani kanë paralajmëruar protesta me automjete në Prishtinë, për shkak se nuk po lejohen të punojnë, por janë tërhequr pas premtimeve që kishin marrë nga ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.

Meqë deri tani nuk ka pasur asgjë konkrete në këtë drejtim, përderisa shumica e biznesve tjera, të mëdha dhe të vogla, janë lejuar të punojnë, Federata e auto shkollave ka vendosur që të nis protestat nga dita e hënë, më 22 qershor dhe ato do të vazhdojnë derisa të përmbushet kërkesa e tyre e vetme, që të lejohen të punojnë.

Protesta do të nis nga Fakulteti Teknik, në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe do të zhvillohet brenda intervalit kohor 10:00-12:00.

Në të vërtetë Ministria e Infrastrukturës, përkatësisht ajo e Shëndetësisë, janë treguar të padrejta me këtë sektor, aq më parë kur kanë lejuar edhe trafiku urban, ndërurban dhe hekurudhuror.

Auto shkollat punojnë me numër të vogël të kandidatëve në pjesën teorike, e cila edhe ashtu mund të ri-organizohet në grupe më të vogla ose të mbahet online, derisa pjesa praktike mbahet vetëm për vetëm me kandidatin.

Rreth 400 auto shkolla në Kosovë dhe qindra të punësuar aty, punën në këtë profesion e kanë burim të ekzistencës familjare dhe është e padrejtë që institucionet e vendit të sillen në këtë mënyrë me këtë veprimtari biznesore. /mediafokus.info