Bota po flet për eksperimentin e ‘ringjalljes’

Nga jeta në vdekje e më pas sërish në jetë. Për këtë eksperiment po flet bota. Sipas gazetës BILD, mjekët amerikanë kanë realizuar disa eksperimente të rralla mbi pacientë të plagosur rëndë.

Atyre iu është hequr gjaku plotësisht dhe iu është zëvendësuar me një lëng kripe të ftohtë akull për dy orë.

Pacienti është ‘i vdekur’ gjatë kësaj kohe, pa frymëmarrje, pa rrahje zemre dhe thuajse pa aktivitet në tru. Më pas risillet në jetë.

Qëllimi i të gjithë kësaj ishte që të fitohej kohë e mjaftueshme për të kryer ndërhyrjet që u shpëtojnë jetën.

Profesori amerikan Samuel Tisherman e kreu procedurën. Ai tha se kjo vdekje artificiale duket si surreale.

Ideja për një ndërhyrje të tillë erdhi nga një rast interesant në Norvegji, kur një skiatore u nxor nga uji i akullt pas 80 minutash. Zemra i kishte pushuar, temperatura e trupit kishte rënë në 13.7 gradë. Në spital nuk u mat ndonjë valë në tru. Ajo u cilësua në vdekje klinike.

Megjithatë mjekët luftuan, ia ngrohën gjakun jashtë trupit dhe e pasuruan me oksigjen. Disa ditë më vonë ajo ishte e shëndetshme, pa dëme serioze.

Tisherman e përdori këtë teknikë me kafshët, tani thotë se testimi është realizuar me njerëzit.

Vetëm personat që kanë humbur më shumë se gjysmën e gjakut nga plagët mund të futen në këtë procedurë. Ata normalisht vdesin brenda pak minutash.

Tisherman dhe ekipi i tij e pompojnë gjakun jashtë dhe e zëvendësojnë me solucionin e kripës së akullt. Në këtë mënyrë temperatura e personit të plagosur rëndë ulet ndjeshëm.

Nga kjo pikë, kirurgët kanë dy orë për të operuar pacientin. Më pas atij i futet gjaku sërish, ngrohet trupi dhe zemra nis të rrahë./syri/