Brenda një jave, në rajonin e Gjilanit, janë arrestuar e ndaluar 25 persona

Sipas statistikave të policisë, në periudhën kohore 17 – 23 qershor 2020 në rajonin e Gjilanit kanë ndodhur 28 incidente, ndërsa janë arrestuar e ndalur 25 persona.

Në të njëjtë kohë kanë ndodhur 13 aksidente trafiku me lëndime, 8 me dëme materiale, ndërkaq janë shqiptuar 769 gjoba (tiketa), ka thënë zëdhënësi rajonal i PK-së, togeri Ismet Hashani.

“Vrasje e rëndë në tentativë“

Me 22 qershor 2020, rreth orës 19:30, Policia e Kosovës është njoftuar se në fshatin Korminjan i Ultë ka ndodhur një rast ku një person është lënduar. Njësitet e Policisë së Kosovës nga stacioni policor i Ranillugit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se pas një fjalosje verbale mes dy personave, që të dy serbë të Kosovës, njëri nga fshati Korminjan i Ultë dyshohet se e ka goditur me mjet të ftohtë (thikë) në bark viktimën, po ashtu serb i Kosovës, nga fshati Ajnovc, komuna e Kamenicës. Pas dhënies së ndihmës së parë në ambulancën në Ranillug, viktima është dërguar në qendrën spitalore në Vranjë-Serbi. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, në prani të mbrojtësit ligjor, me vendim të Prokurorit dërgohet në mbajtje për 48 orë. Rasti procedohet në PTH

“Aksident trafiku me lëndime”

Policia e Kosovës është njoftuar se ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rrugën magjistrale Gjilan–Ferizaj, në fshatin Partesh, më 22 qershor 2020, rreth orës 19:00. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se deri te vet aksidenti të ketë ardhur kur vozitësi me veturën Fiat, me tabela 05, duke mos iu përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë, humb kontrollin mbi automjetin dhe del nga rruga, me ç‘rast lëndime trupore ka pësuar vet vozitësi dhe një pasagjer, të cilët, pas trajtimit mjekësor lirohen në shtëpi. Rasti procedohet në PTH.

“Aksident trafiku me lëndime”

Me 24 qershor 2020, rreth orës 08:10, Policia e Kosovës është njoftuar se ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rrugën magjistrale Gjilan-Prishtinë, në fshatin Llabjan. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur automjeti Golf, i cili lëvizte në drejtimin Gjilan-Prishtinë, me të arritur afër Kompanisë “Tali” ndeshet me automjetin “Renault cango” i cili vinte nga drejtimi i kundërt, me ç‘rast lëndime trupore pëson vozitësi i automjetit “Renault” dhe pasagjerja e tij, të cilët ndalen për trajtim të mëtejmë në QE Gjilan. Vozitësi i veturës Golf pas marrjes së ndihmës së parë në QE Gjilan, lirohet në shtëpi. Për rastin është njoftuar Prokurori i shtetit, rasti në procedurë të rregulltë procedohet në PTH. /mediafokus.info