Buxhovi: Dëmi që PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja i kanë bërë Kosovës, është i madh

Buxhovi: LDK-së i duhen reforma, Osmani duhet të qëndrojë

Jusuf Buxhovi në emisionin Desku në KTV ka thënë se LDK-së i duhen reforma, derisa ka theksuar se Vjosa Osmani duhet të mbetet pjesë e saj.“LDK-ja i ka dy pamje, atë historike nga 1989-1999. Ka bërë një punë historike, e Rugova mbetet në histori pikërisht për shkak të rolit të tij. Faktori ndërkombëtar e ka detyruar të hyjë në bashkëqeverisje. Dhe LDK-ja nuk e ka pas kryeministrin as në zgjedhjet e para e të dyta”, ka thënë Buxhovi, historian dhe shkrimtar.Buxhovi ka thënë se Rugova ka qenë një njeri i kompromiseve, dhe se ai e ka ditur raportin e forcave.
Ai thekson se Rugova nuk ka lejuar që Thaçi të bëhet kryeministër.

“Ai e ka ditur se çfarë do të thotë për amerikanët të kenë dy faktorët në një binar. Dhe ai ka qenë i detyruar ta pranojë kryeministrit prej krahut të luftës dhe aty ka qenë ajo formulë. Të vetmen gjë që e ka bërë Rugova në ato rrethana që nuk ka lejuar që Thaçi të bëhet kryeministër. Ka qenë ky pozicioni i tij ndaj Thaçit sepse ai ka pasur njëfarë konkurrence e mosbesimit ndaj Thaçit, nga Rambujea. Ai e ka konsideruar Thaçin dhe Shtab Politik e ka konsideruar si një krah ideologjik të lidhur me konjektura të ndryshme të Shqipërisë. Nuk e ka lejuar Thaçin të bëhet kryeministër dhe ka ardhur deri te kompromisi i Bajram Rexhepit”, ka thënë Buxhovi, në emisionin DESKU të KTV-së.

Sipas tij LDK-ja e sotme nuk është në linjë të njëjtë me atë të Rugovës.

“Rugova ka vdekur, por LDK-ja që mbeti pas tij nuk ishte më në konstalacion të asaj linje. Ka mbetur kauza e hapur dhe pse e them këtë është se nuk ka përfunduar procesi i demokracisë. Nuk ka përfunduar, shteti i Kosovës nuk është përmbyllë. Kauza e LDK-së për liri, barazi e shtet perëndimor është shkëput me vdekjen e Rugovës. Sot kauza e LDK-së është një kauzë e grupeve të caktuara feude për me e mbajt pushtetin”, ka thënë Buxhovi.

Madje ai thotë se LDK-ja i është nënshtruar disa konjukturave të Thaçit.

“Unë jam kritik ndaj LDK-së dhe duhet të jem. Jam anëtar i LDK-së dhe votues i saj. Partitë politike nga 2006-2008 e tutje janë pjesë e feudeve të caktuara për interesa të caktuara politike. LDK-ja për fat të keq është pjesë e tyre, bile iu ka nënshtruar disa konjukturave të Thaçit dhe të PDK-së. Ka hyrë në disa marrëveshje me ta që vazhdimisht e ka humbur kredibilitetin e vet dhe i ka krijuar probleme Kosovës”, ka thënë Boxhovi.

Buxhovi gjithashtu ka komentuar edhe situatën e Vjosa Osmanit brenda partisë, dhe përjashtimin e saj nga kryesia dhe pozita e nënkryetares.

“Çështja e Vjosës është më komplekse. Ajo është gjetë në një trekëndësh nga viti 2014 e tutje ndërmjet Sejdiut, Thaçit dhe Mustafës. Aty është zhvilluar një luftë për pushtet dhe në atë trekëndësh është sjellë edhe Vjosa Osmani. Kjo që ka ndodhë nuk duhet të ndodhë në tjerat. Jeta partiake ka rregullat e veta”, ka thënë ai.

Sipas tij kur nuk pajtohesh me partinë janë vetëm dy rrugë.

“Vet fakti se hynë në një parti politike ti je i kufizuar. Po të isha unë do të merresha me politikë, sepse kam dashur të ruaj integritetin intelektual. Si të jesh në parti ajo ka rregullat e vet. Derisa të merret vendimi ti mund të jesh kundër saj. Por, kur të merret vendimi ka vetëm dy rrugë: ose duhet ta pranosh atë ose duhet të largohesh, nuk ka tjetër”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij kështu siç ka vepruar Osmani nuk mund të bëhet, porse sipas tij ajo duhet të mbetet brenda partisë dhe të bëhen reformat.

“Kjo është një pjesë e procesit se kauza ka mbet në gjysmë. Por, kështu siç e ka nisur Osmani nuk mund të bëhet sepse nuk mund të luftosh kundër partisë tënde në këtë mënyrë. Duhet të shikosh nga brenda dhe të luftosh për reforma. Po të jetë një LDK e fuqishme skena politike do të dukej ndryshe. Kosovës i duhet ndryshimi. LDK-ja ka për detyrë reformat. Kanë filluar reformat në LDK edhe zonja Osmani e të tjerët duhet aty të luftojnë, të vazhdojnë kauzën e LDK-së. Ajo duhet të mbetet aty, dhe të ruajë interesat e partisë”, ka thënë Buxhovi.

Buxhovi thotë se LDK-ja ka potencial të madh.

Buxhovi: Dëmi që PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja ia kanë bërë Kosovës është shumë i madh

Jusuf Buxhovi ka vlerësuar se partitë politike kanë vazhduar të ruajnë mendësinë që shteti duhet të jetë instrument për fuqinë e tyre materiale, e jo që shteti të jetë një kauzë, që të ndërtohet si demokraci.Në emisionin Desku në KTV, Buxhovi ka thënë se e ka fjalën për pjesën më të madhe të partive politike, që sipas tij janë gati të njëjta. Ka thënë se e ka fjalën për partitë politike që janë në pushtet prej vitit 2000, ndërsa ka përmendur PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.Sipas Buxhovit, deputetët asnjëherë nuk janë të pavarur.
“Ka të bëjë edhe me ligjin zgjedhor, që ka krijuar despotë. Listat kur bëhen, ato kontrollohen, mbikëqyren, barten votat, bëhen manipulime më të mëdha se sa kur bëhen vjedhjet që janë konstatuar. Bëhen me shpërndarjen e votave të deputetëve, që kurrë nuk mund të jenë të pavarur sepse ata kontrollohen. Bosët kryesorë janë te këto tri parti politike, te PDK, LDK, AAK, është një trekëndësh”, ka thënë Buxhovi.

Ai ka folur edhe për meritat e tri partive në fjalë.

Tri partive nuk mund t’iu mohohen të mirat që kanë bërë, kanë marrë pjesë në procesin e krijimit të shtetit, Pavarësisë. Por dëmet që ia kanë bërë Kosovës janë shumë më të mëdha dhe po i përjetojmë sot”, ka shtuar historiani Buxhovi.

Për Vetëvendosjen, Buxhovi ka thënë se është faktor që ka ardhur më vonë. Sipas tij Vetëvendosje është “strehë e shumë personaliteteve që janë bartur prej partive tjera dhe kanë dalë aty dhe se mendohet që kanë ndikim të madh”.

“Prapë edhe ajo nuk mund të ketë alibi të plotë. Por kur flasim për LDK, PDK, AAK etj., të gjitha mbajnë përgjegjësi që nuk ka ardhur te një demokratizim i plotë i jetës politike. Por prapë këto parti janë të tilla pasi në kohën e UNMIK-ut, por edhe më vonë, kodi zgjedhor që është caktuar është gjeneratori kryesor i problemeve dhe despotizmit politik që ne e kemi sot në Kosovë, të gjitha partitë. Kodi zgjedhor i është dashtë edhe faktorit ndërkombëtar dhe veçmas politikanëve tanë me mendësi feudale dhe despotike, që të kontrollojnë edhe listat. Përderisa të ekzistojë një kod i tillë do të kemi jetën politike të tillë. Ajo ka gjeneruar që këta faktorë politikë mos të demokratizohen, të krijojnë feude të ndryshme dhe këto janë të përbashkëta”.

Sipas tij, mungesa e demokratizimit në shtetin e Kosovës është pasojë e mungesës së demokracisë së brendshme në partitë politike.

Buxhovi i bën fajtorë UNMIK-un e EULEX-in për moszbardhjen e vrasjeve politike

Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, në emisionin Desku në KTV ka thënë se fajin për moszbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës në Kosovës e mban UNMIK-u dhe EULEX-i.“Mund të thuhet edhe më drejtpërdrejtë, janë partitë politike që kanë hyrë në procesin që është quajtur veçmas me Rezulotën 1244 të krijimit të rrethanave për një shtet demokratik qysh kanë qenë edhe zgjedhjet e para vendore lokale. Aty janë përgatitë që ta marrin pushtetin dhe ta kthejnë shtetin në një feud të vetin”, ka thënë Buxhovi.Sipas tij faktori ndërkombëtar ka luajtur me dy karta.

“Demokracinë e ka pasur si një detyrë, në realitet ka përkrahur forcat që nuk do t’i bëjnë telashe. Me demilitarizimin që është bërë në dy muaj dhe UÇK-në u transformuar. Ishte paraparë që të përfundojë dy qeveritë e përkohshme, atë të Bukoshit dhe Thaçit, që ishte shpallur në mënyrë të njëanshme në Tiranë. Dhe në bazë të dokumenteve që kemi Qeveria e Thaçit ka vazhduar të funksionojë, është toleruar dhe janë toleruar edhe veprimtaritë e strukturave paramilitare të SHIK-ut. Dhe në të njëjtën kohë ato struktura mbajnë përgjegjësinë, së paku prej shumë vlerësimeve të UNMIK-ut dhe hetuesisë një pjesë e tyre kanë marrë pjesë edhe në vrasjet politike. Nuk po e akuzoj SHIK-un, sepse është një problem, por implikimi i grupeve paramilitare të ndryshme që lidhen me politikën shqiptare janë përgjegjës për ato. Këtë nuk e them kështu, por në bazë të materialeve dhe raporteve që ka edhe NATO, raport që ka edhe BND-ja, shikoni më 2004 janë botuar. Edhe të UNMIK-ut dhe të EULEX-it”, ka thënë ai.

Buxhovi ka shtuar se UNMIK-u i ka bërë edhe dy – tri procese, kuazi procese por kurrë nuk ka mundur që t’u japë përgjigje të caktuar sepse edhe përbrenda UNMIK-ut kemi dokumente dhe libra.

Sipas tij një pjesë e atyre që kanë bërë vrasje politike në Kosovë në njëfarë mënyre kanë qenë të përfshirë edhe me shërbime perëndimore dhe kanë mbërri të dalin.

“Bile ne i kemi edhe ato se prej Bondsteelit kanë dalë të burgosur, kanë shkuar, janë cilësuar si agjentë të shërbimeve të ndryshme dhe kjo tregon se nuk janë zbardhur ato vrasje. Problemi më i madh është këtu, pse jam kritikë ndaj faktorit ndërkombëtar. Nuk dua të prejudikoj se kush është vrasës me emër e mbiemër por janë shumë indikacione që flasin se janë të implikuar njerëz të drejtpërdrejtë të strukturave paramilitare që kanë ekzistuar në Kosovë. I ka toleruar edhe UNMIK-u”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij këtyre vrasjeve nuk u është dhënë drejtësi sepse ndërkombëtarët kanë dashur të mbajnë nën shantazh këto figura politike.

“Përgjigja nuk është dhënë sepse kam bindjen që as UNMIK-u e as EULEX-i nuk kanë dashur të japin përgjigje sepse kanë dashur të mbajnë disa segmente të klasës politike të shantazhuar. Në mënyrë që me ta të bëjnë edhe pazare të ndryshme të cilat edhe i kemi parë kohëve të fundit”, ka thënë ai.

Sipas Buxhovit as dëshmitarët nuk janë mbrojtur.

“Për mua është e pakuptueshme se si një UNMIK që ka poseduar hetuesit më të rëndësishëm. Vet disa prej tyre kanë dekonspiruar dëshmitarët e mbrojtur, sipas UNMIK-ut 22 dëshmitarë nën mbrojtje janë vrarë për krimet politike të pasluftës në Kosovë. Dëshmitari i fundit është vrarë në vitin 2015-16 në Gjermani, Zogaj si i mbrojtur. Mendoj se ka qenë vrasje, sepse me të është dashur të mbyllej një kapitull i disa kampeve atje në Drenicë. UNMIK-u e EULEX-i nuk kanë ndihmuar që të zbardhen këto vrasje. Janë vrarë edhe 102 ushtarë të UQK-së në ndërkohë”, ka thënë ai. “Këto janë vrasje të dyshimta pasi nuk janë sqaruar në aspektin e drejtësisë. Aty ka gjithfarë çërime hesapesh. Fajet në këtë drejtim mendoj se e ka UNMIK-u dhe EULEX-i”.

Buxhovi shton se ata janë ardhë që këtu ta instalojnë sistemin juridik dhe ligjor dhe nuk e kanë bërë.

“3-4 prokurorë kanë dhënë dorëheqje dhe akuzojnë UNMIK-un për korrupsion. Lë me dyshuar se një pjesë e vet atyre hetuesve ndërkombëtarë të UNMIK-ut dhe EULEX-it kanë qenë të lidhur me krimin e organizuar në Kosovë. Dhe këto na sjellin ne rrethin vicioz se sot nuk i kemi përgjigje”, ka thënë ai.

Buxhovi: Çlirimi nuk solli lirinë

Historiani dhe shkrimtari, Jusuf Buxhovi, ka thënë se çlirimi nuk e ka sjellë lirinë në Kosovën. Duke folur në emisionin “Desku” në KTV për temën “Çlirimi i papërfunduar i Kosovës”, Buxhovi ka thënë se procesi ka mbetur në gjysmë.Ai ka folur për librin e tij të ri “Mona”, që është publikuar javë më parë. Është roman që lidhet me realitetin që ekziston në Kosovë nga viti 1999 e tutje.Buxhovi ka thënë se romani merret me politikën aktuale, në prizmin e imagjinatës së një krijuesi, që është i interesuar që asaj që po e kalojmë, t’ia jap edhe dimensionin letrar.
“Shteti i Kosovës është e arritura më e madhe historike e shqiptarizmit në këtë shekull. Por çlirimi nuk e ka sjellë lirinë dhe ky proces ka mbetur i papërfunduar. Ky është përqendrimi im në letërsi, unë jam shumë kritik ndaj gjithë kësaj. Ka pasur keqkuptime, se po e fyej luftën e gjëra tjera, siç dinë te ne që t’i mbrapshtojnë gjërat, veçmas ata që kanë përfituar nga shteti i Kosovës dhe nuk e kanë pasur ideal shtetin e Kosovës, por që shtetin ta kthejnë në plaçkë”, ka thënë Buxhovi.

“Nuk ka të bëjë me patriotët, me ata që janë vrarë në luftë, që kanë shkuar në luftë për ideal. Nuk ka të bëjë me UÇK-në e luftës. Por me UÇK-në e pasluftës, me të gjithë ata të cilët në një mënyrë kanë keqpërdorur atë kredibilitetin dhe janë kthyer nga njerëz që do të duhej të ruanin meritat, në dëmtues të këtij procesi. Disa prej tyre në zhvatës të shtetit të Kosovës, e disa, mund të quhet, edhe në grupe kriminale dhe e kanë dëmtuar procesin”, ka shtuar Buxhovi.