Caktohet paraburgimi ndaj të pandehurit që shkaktoi aksident me fatalitet

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit M. S.

Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.09.2020, i pandehuri nuk e ka përshtatur shpejtësinë ngasjes së automjetit kushteve të rrugës, ashtu që me pjesën e përparme të anës së djathtë të automjetit të tij godet këmbësorin S. H., i cili ishte duke kaluar rrugën nga ana e majtë për në të djathtë, nga drejtimi i lëvizjes së automjetit, me ç’rast si pasojë e kësaj goditje i dëmtuari ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet të ketë kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa propozimi i mbrojtësit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, vlerësuar si masë e pamjaftueshme në këtë fazë të procedurës, thuhet në njoftimin e Gjykatës.