Çezma e Becit, ku ndodhet dhe pse u ndërtua pikërisht në atë vend

Në Malësinë e Zhegocit, pranë rrugës që nga përmendorja e UÇK-së, te Hanet, shtrihet lugut teposhtë deri te ish-shtabi i Zonës Operative të Karadakut dhe më tutje drejt fshatrave të komunës së Lipjanit, gjendet një çezmë me ujë të ftohtë, ku shkruan:

“Qeshmja e Becit. E ndërtoi Daut Beqiri me vëllazër”. Po kush ishin Becët dhe ku gjenden tani ata?

Në këtë fshat, në një skaj të territorit të tij, dikur kishte jetuar familja e njohur Beci. Vendi quhej Lagjja e Becëve.

Në vitin 1964, Becët ishin shpërngulur në Prishtinë e disa kishin migruar në Gjermani.

Sado larg që kanë shkuar, familja e Becit nuk e ka harruar asnjëherë vendlindjen.

Afër lagjes ku i kishin shtëpitë, ata kanë ngritur një burim uji (krua) në nderim të kryefamiljarit të tyre Becit.

Krojet pranë rrugëve të gjata që lidhin fshatra të largët në Kosovë, anën e Moravës me fushën e Kosovës, kanë simbolikë të veçantë, sepse u mundësojnë kalimtarëve të pushojnë, freskohen dhe të rikujtojnë e falënderojnë investitorin.

Ndërtimi i një çezme përgjatë rrugës, shpeshherë barazohet me vlerën e një haxhi (pelegrinazh në Mekë), që është njëri nga pesë obligimet për besimtarët myslimanë.

Becët rikthehen herë pas here te çeshmja e tyre në Zhegoc, për të pirë ujët e vendlindjes e për të rikujtuar të kaluarën e familjes./mediafokus.info