Cilët ishin 41 këshilltarët e parë të Gjilanit?

Asambleja e parë komunale e Gjilanit, e dalë nga zgjedhjet e 28 tetorit 2000, që takimin themelues e ka mbajtur më 11 nëntor 2000, ka pasur 41 këshilltarë të votës së qytetarëve dhe 8 të tjerë (6 serbë, një turk dhe një rom) të emëruar nga kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner.

LDK-ja është përfaqësuar në Kuvend me 27 këshilltarë: Lutfi Haziri (që u zgjodh edhe kryetar), Dritë Idrizi, Fatmir Rexhepi, Venhar Haziri, Zijadin Maliqi, Enver Bllaca, Musa Qerimi, Xhavit Hajdari, Ramadan Kurteshi, Shukri Sylejmani, Halim Huruglica, Nazmi Musa, Drita Maliqi, Jakup Bajrami, Isa Bunjaku, Fehmi Mahmuti, Rushit Avdiu, Sanije Elezi, Qerim Lipovica, Xhemajl Hyseni, Remzi Ahmeti, Nazim Hajdari, Sami Ahmeti, Jonuz Jonuzi, Ruzhdi Ismajli, Shefqet Murtezi dhe Vebi Salihu.

Subjekti i dytë politik që fitoi numrin më të madh të votave, pas LDK-se, Partia e Progresit Demokratik, i siguroi 11 mandate: Ismail Kurteshi, Ejup Uruqi, Sami Hoxha, Fatmir Mehmeti, Xhevat Demiri, Avdyl Hasani, Ibrahim Salihu, Sabri Tahiri, Izmi Zeka, Musli Ukshini, Azem Mujku, AAK-ja dy: Ahmet Isufi e Shaban Rexhepi, ndërsa PQLK-ja – një këshilltar, Hetem Bajramin.

Ndërkaq, UNMIK-u i ka emëruar këshilltarët nga radhët e komuniteteve, të cilët, në Kuvend i kishin të gjitha të drejtat me 4l këshilltarët tjerë, pos atë të votës.

Për fat të keq, femrat nuk arritën në këto zgjedhje 30 për qindëshin e synuar dhe siguruan vetëm 3 vende në asamble. Për këtë kishte shprehur keqardhje administratori lokal ndërkombëtar, çeku Ivo Shanc.

LBD-ja, e cila ishte subjekt i barabartë në Këshillin e mëparshëm komunal, në bazë të formulës që u zbatua gati se në shumicën e komunave, nuk arriti të fitojë numër të mjaftueshëm të votave për të qenë e përfaqësuar.

Këshilltar i Kuvendit ishte zgjedhur edhe Dalip Dalipi, kryetar i UNIKOMB-it, por nuk arriti të marrë mandatin për shkak të sëmundjes.

Seanca e parë e Kuvendit, më 11 nëntor 2000 dhe disa të tjera, pas saj, janë mbajtur në një nga sallat e ish-kombinatit të tekstilit, derisa u rregullua hapësira në objektin e ish-Bankkosit, ku sot është e vendosur administrata komunale. /MediaFokus/