Cili gazetar i njohur ishte vrarë në masakrën e madhe të Gjilanit?

Gjilani, gjatë historisë së tij, përjetoi dhe mbijetoi masakrën më të madhe në histori. Si vendbanim, thuhet se Gjilani tri herë është djegur dhe, po kaq herë është rilindur nga hiri i vetë.

Kronistë dhe historianë flasin rreth 8 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar në qarkun e Gjilanit, në vitin 1944/45.

Sipas tyre, këtu janë vrarë 7.854 persona, që nuk ka ndodhur në asnjë qytet ose trevë shqiptare diku tjetër.

Sipas dëshmive të asaj kohe, rrugët e qytetit ishin mbushur me kufoma.

Nuk ka fshat as lagje në Karadak ku nuk janë kryer masakra gjatë asaj periudhe.

Sipas historianëve, dhuna e terrori mbi popullin shqiptar, nga formacionet partizane-çetnike, ishte e tmerrshme.

Shqiptarët vriteshin e masakroheshin natën dhe të shumtën e rasteve kjo bëhej nën tingujt e daulleve dhe instrumenteve të tjera, për të mos u dëgjuar britmat.

Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, pos me plumb e thikë, shqiptarët priteshin edhe me sharrë, përvëloheshin me ujë, vriteshin me gur në kokë, goditeshin me kazmë, me bajonetë, me hekur të skuqur, me prerje të gjymtyrëve dhe forma të tjera sadiste.

Melihate Deda, në një letër dërguar Komitetit Krahinor, në dhjetor të vitit 1944, ndër të tjera shkruante se komandantët e njësiteve të UNÇJ-së, që operonin në këto troje, deklaronin publikisht se kishin urdhër të vrisnin së paku 50 për qind të shqiptarëve.

Burgosja dhe likuidimi i shqiptarëve bëhej pa kurrfarë procedure. Për çdo mbrëmje pushkatoheshin 40-50 vetë.

Në mesin e të tyre kishte edhe intelektualë të shquar të kësaj ane, siç ishin gazetari Sylejman Ashkiu dhe Esat Berisha, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Njësitet e Brigadës XVII maqedonase, pjesëtarë të OZN-ës famëkeqe dhe grupe shovinistësh serbë të qytetit kryen masakra të papara deri më atëherë mbi shqiptarët, sidomos ndaj pjesës së pambrojtur, që ishin gra, fëmijë e pleq.

Kjo plojë dhe këto masakra vërtetohen edhe nga Halil Fejzullahu, asokohe komisar i Komandës së vendit. Fejzullahu, ndër të tjera, kishte thënë se te xhamia kryesore kam takuar një grup prej më se 100 shqiptarësh dhe 120 ushtarësh maqedonas, që po i rrihnin me kondak të pushkës.

Pasi kuptova se po i dërgonin në pushkatim, të gjithë i dërgova në Komandë dhe pas hetimeve që bëra, konstatova se vetëm 5-6 prej tyre kishin qenë të komprometuar.

Asnjëri prej tyre, sipas dëshmive të Fejzullahut, nuk kishte qenë bashkëpunëtor i okupatorit, e as që kishin kryer ndonjë krim, por dënoheshin vetëm pse ishin shqiptarë.

Është e qartë se pushtetet e kohës u munduan të zhbëjnë identitetin shqiptar të këtij qyteti, që njihet si “kërthizë” e Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe Kumanovës, duke rrënuar edhe monumentet dhe simbolet kulturo-historike, por nuk ia dolën asnjëherë këtij qëllimi./mediafokus.info