Cili gjeneral amerikan kishte thënë para shumë vitesh se kufijtë e Kosovës janë të pacenueshëm?

Gjenerali amerikan John Davoren, komandant i trupave amerikane në Kosovë, kishte thënë në Gjilan, në vitin 2008, se KFOR-i është i vendosur të mos lejojë struktura paralele të sigurisë në Kosovë.

Në këtë mënyrë, gjenerali Davoren ua ka bërë me dije edhe policëve serbë të suspenduar nga SHPK-ja, për shkak se kishin refuzuar të mbeten nën komandën e saj, se KFOR-i nuk do të lejojë ndonjë përpjekje të tyre për të formuar sistem paralel.

Ndryshe, kreu i “Bondstillit” u shpreh i bindur se kufijtë e Kosovës do të mbeten të njëjtë dhe të pacenueshëm.

“Ushtarët e KFOR-it amerikan janë të gatshëm t’iu përgjigjen situatave, kudo që ka nevojë në Kosovë”, ka thënë Davoren.

Duke mos e përjashtuar mundësinë që të ketë tentativa për destabilizim të situatës, gjenerali amerikan u shpreh i vendosur se KFOR-i nuk do të lejojë një gjë të tillë.

“Nëse do të ketë ndonjë incident, ne do t’i përdorim forcat tona, në mbështetje të rezolutës 1244 dhe marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, të cilat kemi kërkuar që të respektohen edhe nga pala serbe”, ka thënë komandanti i Brigadës Shumë Kombëshe  të Lindjes.

Për më tepër, ai tha se KFOR-i është i interesuar që situata në kufi të jetë nën kontroll të plotë, në mënyrë që të mos shqetësohet popullata.

Gjenerali Davoren, tha se kemi bërë sigurimin e pikave kufitare me Serbinë te Porta e 5-të dhe në Myqibabë, në mënyrë që aty të mos ndodh diçka e papritur dhe ne të jemi të gatshëm t’iu përgjigjemi situatave të mundshme.

“Ushtarët e mi janë të gatshëm, nëse është e nevojshme, që përkohësisht ta marrin edhe përgjegjësinë në këto pika kufitare, ku tani ndodhen ShPK-ja dhe policia e UNMIK-ut”, ka thënë komandanti i kampit “Bondstill”.

Megjithatë, ai tha se KFOR-i është prezent në pikat kufitare dhe po e përcjell situatën nga afër, duke qenë në gjendje gatishmërie.

Përgjithësisht gjenerali John Davoren u shpreh i kënaqur me gjendjen e sigurisë në këtë sektor dhe në Kosovë, duke vlerësuar me këtë rast se “gjërat shkuan mbarë në Kosovë, sepse kështu deshën qytetarët e Kosovës”. /mediafokus.info