Nëntori rrëmbeu intelektualin e madh shqiptar

Xhavit Ahmeti vdiq tragjikisht, në nëntor 1996, në rrugën e mbrojtjes së shkollës dhe shkronjave shqipe si dhe aspiratës politike të shqiptarëve të Kosovës, për pavarësi nga Serbia.

Shqiptarët janë popull me fat që mes tyre patën një njeri të madh, një intelektual të shquar, një shkencëtar të spikatur, një atdhetar të devotshëm të çështjes kombëtare, siç ishte Xhavit Ahmeti. Ai ishte shembull se si jetohet dhe punohet për Kosovën, me tërë qenien e tij.

Xhavit Ahmeti kontribuoi shumë në forcimin e rezistencën dhe refuzimin e masave serbe për zhbërjen e arsimit shqip. Ishte ndër figurat më eminente të kësaj rezistence.     

Asokohe, si këshilltar për arsim i presidentit Rugova, ai demonstroi aftësi të veçanta në ngritjen dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, në përgjithësi dhe të arsimit në veçanti, sikurse edhe në masivizimin e rezistencës politike ndaj institucioneve të dhunshme serbe në Kosovë.

Falë vlerave të larta njerëzore dhe intelektuale, Xhavit Ahmeti radhitej ndër burrat e mëdhenj që kishte Kosova. Shëmbëlltyra e tij si intelektual e shkencëtar, si politikan dhe patriot i përkushtuar për çështjen e Kosovës, ishte motivim dhe frymëzim për shumë    gjenerata në kauzën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Profesor Ahmeti ka qenë veprimtar i madh dhe po të ishte gjallë, Kosova do të ishte ndryshe.

Vdekja tragjike e gjeti Xhavit Ahmetin në një mision të rëndësishëm, derisa së bashku me një delegacion të Kosovës, Fatmir Sejdiun e Hydajet Hysenin, po shkonin në Beograd, për të mbrojtur arsimin shqip. 

Ditën që në Gjilan erdhi kumti për vdekjen e Xhavitit, drejtori i atëhershëm i Arsimit, Ymer Halimi, një burrë që kishte pajtuar gjaqe e ngatërresa, nuk i mbajti dot lotët.    

Ndoshta jo rastësisht, nëntori e rrëbeu edhe një emblemë tjetër të kombit, gjatë një rrugëtimi të rëndë e të rëndësishëm.

Sot, njëri nga dy gjimnazet në Gjilan, si shkollë elitare, mban emrin e Xhavit Ahmetit, derisa dy vite më parë u zbulua edhe busti i tij.            

…………

Xhavit Ahmeti lindi më 25 tetor 1952 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Normalen në Gjilan, studimet për Kimi – në Sarajevë e Prishtinë. Magjistraturën dhe doktoratën i kreu në Zagreb.

Krahas punës edukative-arsimore, është marrë edhe me kërkime shkencore. Ka botuar 24 punime shkencore, 27 kumtesa, në 9 projekte ishte autor ose bashkautor si dhe ka marrë pjesë në përgatitjen e 7 teksteve shkollore, që nga niveli i ultë e deri tek ai universitar./MediaFokus/