Çka thotë Qëndron Kastrati për kazinotë ilegale në Karaqevë?

Në mes të fshatit Karaqevë dhe Novosellë tash e disa muaj operojnë shtatë kazino ilegale.

Por, as pas raportimit të MediaFokus dhe të mediave të tjera, nuk ka ndonjë reagim nga institucioneve të sigurisë, këndej e andej kufirit, për këtë fenomen ilegal.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë për MediaFokus se autoritetet kosovare nuk mund të ndërhyjnë atje, pasi sipas tij, në Marrëveshjen e Kumanovës u la jashtë kjo pjesë e territorit.

“Së fundmi kemi qenë të informuar për operimin e këtyre kazinove në këtë pjesë të Kamenicës. Kur është nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës në vitin 1999, është bërë një gabim sepse vija është tejkaluar dhe ka hyrë brenda territorit të Kosovës, konkretisht në Zonën Kadastrale të Komunës së Kamenicës. Edhe Policia e Kosovës nuk mund të ndërhyjë në atë pjesë pa marrë leje të veçantë nga KFOR’i”, ka thënë Kastrati për MediaFokus.

Këtë paqartësi të përgjegjësive, ku përmenden autoritetet e Kosovës, Serbisë dhe KFOR’it, duket se bosat e kazinove po e shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë duke kontrolluar territore për aktivitete ilegale, mbase për përfitime marramendëse. /MediaFokus/