Çka thotë Rregullorja e Dhomave të Specializuara lidhur me konfirmimin e aktakuzës

Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës parasheh mënyrën se si bëhet paraqitja e aktakuzës nga Prokurori i Specializuar, si dhe shqyrtimin dhe konfirmimin e së njëjtës nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Mediafokus.info ju sjellë pjesë nga kjo rregullore, ku përshkruhen të gjitha veprimet që ndërmerren deri në konfirmimin apo moskonfirmimin e një aktakuze.

Rregulla 86
Paraqitja, shqyrtimi dhe konfirmimi i aktakuzës

(1) Në qoftë se gjatë një hetimi, Prokurori i Specializuar bindet se ekziston dyshim i bazuar mirë se një i dyshuar ka kryer, ose ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar informon Kryetarin i cili cakton një gjykatës të procedurës paraprake në pajtim me nenin 33(1)(a) të Ligjit.

(2) Prokurori i Specializuar ia paraqet aktakuzën në mënyrë konfidenciale dhe ex parte gjykatësit të procedurës paraprake për vendim bazuar në nenin 39(2) të Ligjit.

(3) Në aktakuzën e paraqitur sipas nenit 38(4) të Ligjit jepen emri dhe të dhënat personale të të dyshuarit dhe një përshkrim i shkurtër i fakteve të çështjes dhe të veprës ose veprave penale për të cilat akuzohet i dyshuari dhe në veçanti forma e përgjegjësisë penale të pretenduar në lidhje me veprat penale të akuzuara sipas nenit 16 të Ligjit. 2Aktakuza dorëzohet së bashku me materialin mbështetës i cili ndër të tjera, përmban:

(a) prova mbështetëse të fakteve materiale; dhe

(b) një përmbledhje të detajuar ku tregohet lidhja e çdo prove me secilën akuzë, sidomos për sa u përket veprimeve të të dyshuarit në lidhje me veprën ose veprat penale të pretenduara.

(4) Gjykatësi i procedurës paraprake shqyrton materialin mbështetës në lidhje me secilën prej akuzave dhe përcakton nëse është vërtetuar një dyshim i bazuar mirë kundër të dyshuarit. 2Gjatë këtij shqyrtimi, gjykatësi i procedurës paraprake mund:

(a) të kërkojë, ose të lejojë Prokurorin e Specializuar të dorëzojë material shtesë në mbështetje të cilësdo ose të gjitha akuzave;

(b) të kërkojë prej Prokurorit të Specializuar që të rishikojë aktakuzën me synimin që të japë më shumë hollësi për cilëndo prej akuzave, dhe veprimet konkrete të të dyshuarit, ose të mundësojë saktësi ligjore, ose më shumë qartësi në paraqitjen e akuzave; ose

(c) t’i kërkojë Prokurorit të Specializuar që të pakësojë numrin e akuzave ose të zvogëlojë kuadrin e akuzave.

Për secilin prej këtyre rasteve përpilohet procesverbal i detajuar me shkrim i cili përfshihet në dosjen e çështjes.

(5) Si rezultat i këtij shqyrtimi, bazuar në nenin 39(2) të Ligjit, gjykatësi i procedurës paraprake konfirmon ose hedh poshtë tërësisht, ose pjesërisht akuzat, në një vendim të arsyetuar.

(6) Me konfirmimin e cilësdo prej akuzave të aktakuzës:

(a) i dyshuari bëhet i akuzuar; dhe

(b) gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim apo një urdhërparaqitje, ose çfarëdo vendimi apo urdhri të paraparë në nenin 39(3) të Ligjit.

(7) Mbrojtja mund të paraqesë kundërshtime ndaj një vendimi mbi aktakuzën, vetëm në bazë të rasteve të parapara në rregullën 97.

(8) Administratori ruan aktakuzën e konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake dhe përgatit kopje të legalizuara me vulën e Dhomave të Specializuara. Në qoftë se është e nevojshme, aktakuza përkthehet në një gjuhë që i akuzuari kupton dhe flet dhe ky përkthim i bashkëngjitet çdo kopjeje të legalizuar të aktakuzës.

(9) Moskonfirmimi i cilësdo prej akuzave të aktakuzës nuk e pengon Prokurorin e Specializuar që më pas të dorëzojë aktakuzë të ndryshuar, ose të përfshijë të njëjtën akuzë në një aktakuzë të mbështetur nga prova të reja.

/mediafokus.info/