Countryman: Hoti dhe Vuçiq s’kanë gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë

Kosova dhe Serbia nuk janë të përgatitura që në këtë kohë të bëjnë kompromise për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvëndës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.

Duke komentuar takimin e paralajmëruar për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Countryman thotë se nuk mund të pritet shumë nga ky dialog dhe më e pakta që mund të arrihet është një nxitje që të dy liderët të angazhohen më shumë në dialogun e Brukselit.

Në këtë intervistë, ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, thotë se edhe nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të bënte kompromise me Serbinë, ai e ka të vështirë të sigurojë miratimin e tyre në Kosovë, për shkak të rivaliteteve politike që aktualisht po ndodhin brenda Kosovës.