Ç`vlerësim kishin për njëri-tjetrin kandidatët për kryetarë komune në vitin 2007?

Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, në Gjilan, për postin e kryetarit të Komunës kishin garuar tetë kandidatë, gjashtë nga subjektet politike dhe dy të pavarur.

Por çfarë vlerësimi kishin ata për njëri-tjetrin dhe si ishin përgjigjur në pyetjen “Sa iu frikësohemi kundërkandidatëve”?

Lirie Kajtazi (LDK): Jo. Aspak. Jam përballë me gjëra edhe më të mëdha. Besoj në fuqinë time dhe besoj në qytetarin e komunës së Gjilanit.

Qemajl Mustafa (PDK): Gëzoj respekt për të gjithë kandidatët, sepse vetë kandidimi flet për guximin dhe gatishmërinë e tyre për marrjen e përgjegjësisë. Nuk ndjej asnjë lloj hezitimi a frikë në këtë garë përballë kandidatëve tjerë.

Xhemajl Hyseni (LDD): Jo, aspak, por respekt i veçantë për secilën kandidaturë që garon për postin e kryetarit.

Sabedin Kadriu (AAK): Kur është fjala për kundërkandidtaët, nuk kemi të bëjmë me frikën, por me respektin ndaj tyre. Respekt për të gjithë, por jam më i mirë se ata.

Halim Vranovci (ORA): Jo. Sepse në garë nuk jam patjetër për të qenë fitues. Është shumë e dëshirueshme që  rregullat e lojës të jenë fer dhe të mos ironizohet asnjëri.

Islam Zuzaku (AKR): Jo, definitivisht, sepse jam i përkushtuar ta fitoj garën dhe aspak nuk jam i përqendruar në kundërkandidatët e mi dhe se frika te unë nuk zë vend.   

Hetem Bajrami (KP): Kandidatët e partive politike kanë përparësi dhe pengesa, sepse duhet pyetur përherë “çka thotë partia”, kurse unë si i pavarur nuk e kam këtë problem.

Faton Bislimi (KP): Nuk i frikohem asnjë kundërkandidati, pasi që puna ime dhe e kaluara ime janë të pastra. Duke qenë politikisht i pavarur, unë përfaqësoj të gjithë gjilanasit e jo grupe të veçanta të interesit apo politikës./Mediafokus