Darko Tasiq dënohet me 22 vjet burgim për krime lufte në Krushë të Vogël

Me 22 vjet burgim është dënuar Darko Tasiqi, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në vitin 1999 në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka shpallur Tasiqin fajtor për pikën dy të aktakuzës për përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Tasiq është shpallur fajtor edhe për akuzën se mes 15-26 marsit 1999 në Kurshë të Vogël si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë së Republikës Federative të Jugosllavisë, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Gjykimi i Tasiqit ka nisur para dy vitesh dhe që nga ajo kohë është në paraburigm. Darko Tasiq pati mohuar fajësinë dhe është mbrojtur në heshtje, transmeton Koha.

Gjatë kohës sa është bërë publik vendimi, ka pasur protesta para Gjykatës nga familjarë të viktimave dhe banorë të Krushës së Vogël. Familjarët e viktimave kanë vendosur fotografi të më të dashurve të tyre para Gjykatës në Prizren, si kujtim për krimet që janë bërë dhe si thirrje për dënimin e fajtorëve.