Dëshmia e infermieres së spitalit ku u vetëvra i riu me COVID-19

“Kur u ktheva gjeta dritarën e hapur”, janë fjalët e infermieres së spitalit ku u vetëvra i riu me COVID-19.

Efektivë të komisariatit numër 1 në kryeqytet kanë marrë në pyetje disa pjesëtarë të stafit mjekësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”, pas ngjarjes së rëndë, që ndodhi mesnatën e sotme, ku 29-vjeçari Leonard Koça u hodh nga kati i 3-të i godinës dhe si pasojë gjeti vdekjen.

Mes bluzave të bardha, ka dëshmuar edhe infermierja që prej ditësh kishte ndjekur pacientin 29-vjeçar nga Durrësi, raporton abcnews.al

Burime pranë policisë thanë se infermierja ka deklaruar se nuk ka vënë re ndonjë shqetësim nga i riu. Ajo ka treguar më tej se kishte lëvizur nga dhoma për të marrë një medikament dhe kur ishte kthyer kishte vënë re dritaren e hapur dhe menjëherë kishte lajmëruar kolegët e saj.

Më herët, përmes një reagimi, spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” konfirmoi se i riu ishte me COVID-19 dhe po trajtohej prej 4 ditësh, me terapinë e plotë të mjekimit dhe gjendja e tij ishte e stabilizuar.