Dezinfektohet hapësira ku do të mbahet Dita e Zojës së Madhe në Letnicë

Njësia e Zjarrëfikjes dhe Shpëtimit ka bërë klorifikimin e hapësirës në fshatin Letincë, ku do të mbahet Dita e Zojës së Madhe, e cila sivjet organizohet nën masat mbrojtëse të rekomanduara nga IKSHPK.

Komiteti për Mbrojtje dhe Shpëtim në Viti ka analizuar situatën epidemiologjike në këtë komunë, ku aktualisht janë 79 raste aktive me Covid 19.

Kreu i kësaj komune, Sokol Haliti u shpreh i kënaqur sa i përket respektimit të masave mbrojtëse nga qytetarët dhe u bëri thirrje atyre që të vazhdojnë kësisoj, për të shmangur mundësinë e infektimit të personave tjerë. 

Njëherësh, Haliti ka kërkuar të mos stigmatizohen personat e prekur apo edhe personat e shëruar nga koronavirusi pasi që çdo kush mund të infektohet.

Në takim u bë me dije gjithashtu se ka pasur edhe mbyllje të lokaleve, të cilat nuk i kanë respektuar masat mbrojtëse.