Dr. Ajhane Sefiu: Shyqyr Zotit që është rikthyer besimi tek mantelbardhët

Ikona e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan, specialistja e mikrobilologjisë, Dr. Ajhane Sefiu, është shprehur e lumtur që është rikthyer besimi tek mantelbardhët, në këtë kohë kur vendi po përballet me pandeminë e Covid-19.

Viteve të fundit, kosovarët kanë shprehur kritika të ashpra për mospunë ndaj personelit shëndetësorë, por që gjatë periudhës së pandemisë, krejt sytë i kanë kthyer tek ta.

“Shyqyr Zotit që është rikthyer besimi tek mantelbardhët në sektorin publik. Ne jemi këtu që t’i ndihmojmë njerëzit në shpëtimin e jetëve të tyre”, ka thënë Sefiu për Mediafokus.info, që është drejtoreshë e kësaj Qendre.

Deri tani, në Gjilan kanë rezultuar pozitivë 14 raste, përderisa janë testuar qindra të tjerë, por që fatmirësisht kanë rezultuar negativë me Covid-19.

Ndërkaq, sipas Dr. Ajhanes, lajmi i mirë është që nuk ka asnjë rast të dyshuar sot në Gjilan.

Ajo ka këshilluar se ruajtja më e mirë kundër Covid19 është qëndrimi në shtëpi, mbajtja e higjienës personale dhe mosgrumbullimi i njerëzve në grupe./Mediafokus.info/