Dushku erdhi në Vjeshtën e Gjilanit me Evën

Në manifestimin “Vjeshta letrare e Gjilanit”, organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, në aktivitetin e radhës, është prezantuar krijuesja Linditë Ramushi Dushku, me dy veprat e saj të fundit, Eva dhe Asht Gusht.

Në rrethet letrare, në Kosovë e më gjerë, Linditë Ramushi Dushku, njihet si poete dhe si publiciste, kryesisht me shkrime nga fusha e psikologjisë, thotë Sabit Rrustemi, krijues, në një vështrim të tij për krjimtarinë e saj.

Në botën e letrave, ajo shfaqet që në moshën 20-vjeçe, përkatësisht në vitin 2004, me përmbledhjen poetike “Mos hesht”, botuar nga Shtëpia botuese “Ura”.

Nga përmbledhja e parë deri te e dyta, do të kalojnë rrafsh tetë vite. “Me sytë e ëndjes” do të titullohet përmbledhja e dytë e saj, që shquhet më një ndjeshmëri të arrirë artistike si dhe me një tematikë dashurie, fund e krye, për t’u pasuar këtë vit me përmbledhjen e tretë me poezi, me një titull, sa të thjeshtë, aq dhe sugjestiv: Asht Gusht.

Kjo përmbledhje, vetëm sa e avancon shprehjen poetike të Linditë Ramushit, e cila tashmë në një moshë më të pjekur, iu kthye prozës, pas një serë tregimesh, të cilat i publikoi nëpër revista e portale të ndryshme, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Romani i saj i parë, i titulluar Eva (njëra nga ato), që tashmë është në duart e lexuesve, shënon deri më tash përpjekjen më serioze të Linditë Ramushit Dushkut, në letrat shqipe.

“Eva”, si titull tejet sinjifikativ dhe kryepersonazhi i romanit të saj, jo vetëm bart emrin e gruas së parë në botë, por edhe një “mëkat” që ia nxin jetën asaj. Në fakt, nuk është mëkati që ajo e bën me hir apo pahir. Është një moment fatkeq gjatë luftës së fundit në Kosovë që i ndodhë asaj, ku përdhunohet nga njerëz të uniformuar, të cilët jo vetëm e damkosin atë si femër, por edhe të ardhmen e saj, përkundër përpjekjeve mbinjerëzore të saj për t’iu rikthyer asaj që quhet jetë.

Në shtjellimin e kësaj materie, shton Rrustemi, romansierja e re Linditë Ramushi Dushku shquhet për prirje artistike dhe për dramaticitet të sforcuar, duke krijuar tablo të papritura dhe përplot art.

Në kohën kur kjo temë e romanit të saj nuk është më tabu në Kosovë, ky roman vjen si një katarzë shpirtërore, jo vetëm për “Evën” apo dhe autoren e saj, po në përgjithësi edhe për shoqërinë kosovare, e cila po jep shenja të dukshme të një emancipimi të përgjithshëm si popull i shekullit njëzetenjë./MediaFokus/