“E di ku je, e di ç’po bën…” – telefonata të frikshme përndjekin studenten

Pas një viti me telefonata të frikshme e të paidentifikuara, një studente nga Tirana është mbyllur në shtëpi nga paranoja se dikush e ndjek dhe di çdo gjë për të.

“Në numrin tim të telefonit por edhe kur e kam ndërrruar, një numër anonim më telefonon vazhdimisht”, tregon 22-vjeçarja me inicialet E. K.

E pyetur nga agjentët e policisë në Komisariatin nr.2 nëse e kishte një ide se cili mund të jetë i fiksuari pas saj, ajo përgjigjet: “Kam përshtypjen se zëri në anën tjetër është një djalë i ri, mbase i moshës 25 vjeç”.

Por vajza nuk ka asnjë dyshim për identitetin e telefonuesit, pasi sa herë ka tringëlluar telefoni, ajo shpesh ka vëzhguar rreth e rrotull për ndonjë të njohur që po i punonte rrengun, por nuk ka zbuluar asgjë.

Ankthi i vajzës është përcjellë edhe tek prindërit e saj, që shpesh e kanë shoqëruar sa herë ajo dilte shëtitje në Tiranë, me shpresën se do ta zbulonin telefonuesin e fshehtë.

Para agjentit të policisë studentja tregoi:

“Telefonuesi nuk prezantohet asnjëherë, më merr në telefon disa herë në ditë, ai telefonon me numër anonim dhe e hap pasi më ka kërcënuar se di çdo gjë për mua dhe përditshmërinë time”.

“Po të shikoj, e di ku po shkon, e di ç’po bën” – i thoshte ai shpesh.

Sipas studentes, në të gjitha rastet kur e ka telefonuar, i panjohuri ka shtuar gjithashtu adresën ku vajza gjendej, në disa raste i ka dhënë detaje edhe mbi personat me të cilët ajo gjendej e shoqëruar.

“Kjo situatë është kthyer e frikshme për mua dhe prindërit e mi, jemi të shqetësuar, kemi ankth. Nuk e kuptoj kush mund të jetë, kam frikë të dal nga shtëpia të vazhdoj jetën normalisht, pasi ky person më telefonon dhe aty kuptoj që ai gjendet diku rrotull duke më vëzhguar”, tha ajo.

Pas kallzimit, policia këqyri telefonin e të resë, ku dhe zbuluan se për një vit e reja ka mbi një mijë telefonata anonime, të përditshme dhe të përsëritura, transmeton Panorama.

Të dhënat nga celulari i studentes janë përcjellë pranë kompanive celulare dhe sapo i panjohuri të zbulohet, ai do të vendoset nën akuzë për përndjekje.