E thotë edhe Hoti, njohja reciproke është tema e vetme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se vetëm njohja reciproke i normalizon raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Siç ka bërë të ditur Hoti, në të gjitha takimet me përfaqësuesit e Serbisë, tema e vetme që është diskutuar ka qenë njohja reciproke, raporton mediafokus.info.

“Vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Evropës. Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme”, ka shkruar Hoti.

I pari i Qeverisë ka thënë se çdo diskutim me Serbinë është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cenuar integritetin territorial të Kosovës.

“Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cenuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai ka ftuar forcat politike në Kosovë që të jenë të unifikuara për procesin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, gara politike mes partive, mund dhe duhet të zhvillohet për tema të tjera.

“Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik. Nisur nga kjo qartësi e plotë e procesit, unë nuk do të hezitoj të dialogojmë. Prandaj, i ftoj forcat politike në Kosovës, pozitë dhe opozitë, të jemi të unifikuar në këtë proces. Gara politike në mes nesh, që duhet të jetë demokratike dhe mbi baza të kushtetutës, mund dhe duhet të zhvillohet për tema të tjera të politikës, ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe fushave të tjera”, ka përfunduar Hoti.