Edhe Avokati i Popullit bënë thirrje për respektimin e masave kundër pandemisë

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari e ka vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe pas takimit në këtë institucion, ka bërë një apel për qytetarë, ku kërkon zbatimin e masave kundër Covid 19.

Avokat i Popullit u informua nga drejtori i IKShPK-së, z. Naser Ramadani, me situatën e fundit të shkaktuar nga pandemia dhe sfidat me të cilat ata përballen. Shqetësimi i madh është shprehur për numrin e madh të qytetarëve të infektuar me virusin COVID-19 ditëve të fundit dhe frika për dalje e situatës nga kontrolli.

Të gjendur në këtë situatë emergjente, bazuar në ngritjen rapide të të infektuarve nga virusi COVID-19 ditëve të fundit, implikimeve në shëndetin publik dhe pa dyshim ndikimin në të drejtën për jetë, ju drejtohem me Apel që, si asnjëherë më parë, me vetë disiplinë, t’i respektojmë në mënyrë rigoroze masat e rekomanduara nga qeveria dhe nga IKShPK-ja, në mënyrë që t’i jepet prioritet respektimit të së drejtës për jetë.

Edhe pse Kushtetuta e vendit garanton që “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës”, ndikimi i pandemisë në shëndetin e përgjithshëm publik dhe serioziteti i situatës kërkon masa që nuk do të ishin të arsyeshme nën llupën e të drejtave të njeriut në rrethana normale. Në situatën në të cilën gjendemi, të drejtat e njeriut mund të jenë udhërrëfyese për vendime të ekuilibruara në mes mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe të shëndetit dhe, në anën tjetër, mbrojtjen e lirisë së lëvizjes dhe të interesave publike.

Tashmë është bërë publik edhe “Manuali për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19”, i nxjerrë nga IKShPK-ja dhe përmban udhëzime të qarta për qytetarët se si duhet të vazhdojnë të mbrohen nga virusi.

Avokati i Popullit apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e kërkuara e të thjeshta: mbajtja e maskës, e distancës sociale dhe e higjienës personale mund të na largojnë nga kjo situatë për të cilën ende nuk e dimë se si mund të përfundojë.

T’i përmbahemi masave dhe duke i respektuar të drejtat tona, i respektojmë të drejtat e të tjerëve.