Edhe dy raste të reja me coronavirus, njëri nga Gjilani

IKSHP sapo ka njoftuar për dy raste të reja me coronavirus. Njëri prej të infektuarve, është nga Gjilani, ku mbrëmë ishin konfirmuar dy rastet e para.

Sot me 22.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar dhjetë (10) mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe dy (2) prej tyre janë pozitivë.

Dy prej rasteve pozitive janë raste kontakti, njëri nga fshati Vrapçiç, komuna e Gjilanit, femër e moshës 50-vjeçe dhe tjetri me vendbanim në fshatin Domanek, komuna e Malishevës, i gjinisë mashkull, i moshës 53-vjeç, thuhet në njoftimin e IKSHP.

Nga data 08.02.2020 deri me 22.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 577 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej tridhjetë e tri (33) kanë rezultuar pozitive.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 560 kontakte të rasteve që kanë rezultuar pozitive./mediafokus.info